Janë publikuar statistikat nga Angjencia e Statistikave të Kosovës për rezultatet e Fuqisë Puntore për tremujorin e parë të këtij viti.
Anketa ka pasur shtrirje në 452 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 4004 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
Nga popullsia në moshë pune, 61.3 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh, transmeton kp.
Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.7%.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë 2019 është 28.2%.
Punësimi me i lartë është te meshkujt 43%, ndërsa punësimi te femrat është 13.3%.
Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor me 54.6 % të tyre.
Ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.8%.
Sipas tremujorit të parë të AFP-së 2019 në Kosovë ka pasur 125,717 persona të moshës 15- 64 vjeç, që ishin të papunë, 88,915 nga të cilët ishin meshkuj dhe 36,802 femra . Shkalla e papunësisë ishte 26.9 %, më e lartë ishte tek femrat me 31.6% se sa te meshkujt, 25.4 %.
Papunësia tek të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë. Në tremujorin e parë të vitit 2019, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit. Papunësia është më e lartë te femrat e reja (60.8 %) se te të rinjtë meshkuj (46.0%).
Pothuaj një e treta (29 %) e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në shkollim, punësim apo trajnim. Kjo shifër është 30.3 % për femrat e reja krahasuar me 27.8 % për të rinjtë meshkuj.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: Tregtia me 16.5%, ndërtimtaria me 11.5%, arsimi me 11.2%, si dhe prodhimi me 11.0%.
Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 39.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 60.9% kanë kontratë të përkohshme.
Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 300 euro deri 400 euro në muaj. Janë vërejtur dallime gjinore me 6.5 % më e lartë te femrat se sa te meshkujt.