COVID-19 tkurr mbi 80 për qind të fitimit të Volkswagen-it.
“Pandemia globale e COVID-19 ndikoi ndjeshëm në biznesin tonë në tremujorin e parë”, tha Frank Witter, shefi financiar i grupit
Fitimi operativ i gjigantit të automjeteve Volkswagen Group me qendër në Gjermani shënoi rënie të ndjeshme me 81.4 për qind në 904 milionë euro (1 miliard dollarë) ndër vite në tremujorin e parë të vitit 2020, për shkak të ndikimit të COVID-19 ndaj ekonomisë.
Porositë e klientëve të grupit ranë me 23 për qind në 2 milionë njësi ndërsa prodhimi i automjeteve ra me 24.8 për qind në 1.99 milionë njësi dhe shitja e automjeteve me 25 për qind në 1.94 milionë njësi, njoftoi gjiganti i automjeteve.
Të ardhurat nga shitjet e grupit, i cili është pronar i disa markave përfshirë Audi, Seat, Skoda, Bentley, Bugatti, Lamborghini, Porsche, Ducati, Scania dhe Man, ranë në 8.3 për qind në 55 miliardë euro në periudhën janar-mars, nga 60 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjithashtu është regjistruar rënie edhe tek numri i personelit të grupit me 0.2 për qind nga 671.200 në 670.000 për të njëjtën periudhë.
“Pandemia globale e COVID-19 ndikoi ndjeshëm në biznesin tonë në tremujorin e parë”, tha Frank Witter, shefi financiar i grupit.
“Ne kemi ndërmarrë një numër kundërmasash për të ulur kostot dhe për të siguruar likuiditetin dhe vazhdojmë të pozicionohemi fuqishëm në aspektin financiar”, shtoi Witter.
Virusi që për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan të Kinës, u përhap në mbarë botën duke u shndërruar në pandemi.
Në të gjithë botën, numri i rasteve me COVID-19 ka shkuar në mbi 3.146.200 ndërsa mbi 218.000 e kanë humbur jetën pas infektimit me sëmundjen.