
Po vazhdon takimi Kurti-Mustafa.
Ka kaluar më shumë se një orë që kur në objektin e Kuvendit të Kosovës ka nisur takimi mes kryetarit të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.
Ky është takimi i parë që pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryetar i Kuvendit, post ky që në marrëveshjen e propozuar nga VV, i ishte premtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan lajmi.net.
LDK në këtë takim ka hyrë pa hequr dorë nga kërkesa kryesore e tyre, e që është posti i presidentit.
Në fakt, kjo kërkesë e LDK-së e ka mbajtur peng deri më tani arritjen e marrëveshjes mes dy partive. VV-ja po refuzon kategorikisht që ky post të caktohet qysh tani.
Sidoqoftë, nga ajo që u mor vesh nga video-mesazhi i kreut të VV-së, Albin Kurti gjatë ditës së djeshme, është se partia e tij tashmë ka hequr dorë nga ministria e Punëve të Brendshme.
Nuk dihet nëse kjo ka ndodhur për arsyen e zgjedhjes së Konjufcës së kryeparlamentar, pasi që zyrtarë nga kjo parti kanë thënë se tashmë ky proces nuk ka kthim prapa dhe se Konjufca nuk është zgjedhur në atë pozitë për t’u tërhequr.
Presidenti Thaçi i ka dhënë 48 orë afat Kurtit dhe VV-së që ta dorëzojnë propozimin e tyre për kryeministër.
Kjo me arsyetimin se tashmë është humbur mjaftë kohë në formimin e institucioneve të reja.
Aktualisht, para Kuvendit të Kosovës është një numër i madh mediash që po përcjellin me interes të shtuar atë se çfarë po ndodhë aktualisht brenda objektit ku edhe po mbahet takimi.