Mbledhja e KGJK-së: Katër gjyqtarë të rinj do t’i shtohen Departamentit Special

15:56 | 10 Korrik 2025
Mbledhja e KGJK-së: Katër gjyqtarë të rinj do t’i shtohen Departamentit Special

Drejtuesit e gjykatave do të raportojnë dy ditë para Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në mbledhjen e sotme, të 349-ën me radhë, u bë e ditur se nga shtatori i këtij viti katër gjyqtarë do t’i shtohen Departamentit Special.

Këtë e konfirmoi kryesues i Këshillit, Albert Zogaj.

Ndërsa nga raportimi i drejtuesve të gjykatave në mbledhjen e sotme doli se normën më të ulët të efikasitetit në divizionin civil e ka Gjykata e Apelit.

Edhe pse gati në të gjitha gjykatat kishte rritje të normës së efikasitetit në raport me tre muajt paraprak, sfida kryesore për tremujorin prill-qershor, doli të ishte mungesa e stafit, përkatësisht të bashkëpunëtorëve profesionalë, edhe pse në fillimin e muajit korrik u emëruan 34 bashkëpunëtorë të rinj.

Gjykata e apelit në tremujorin e fundit ka pranuar 6051 lëndë të natyrës kontestimore civile prej të cilave janë zgjedhur 2551 lëndë.

Sipas kryetarit të gjykatës së Apelit, Valon Totaj problem kryesor i gjykatës së apelit rezulton të jetë shqyrtimi i lëndëve në divizionin civil e problem kryesor i divizionit civil del të jetë numri i madh i lëndëve të kontratave kolektive.

Një pikë që u përmend nga gjykata e apelit ishte progresi në shqyrtimin e lëndëve të vjetra, ku mbi 400 lëndë të kategorizuara si lëndë të vjetra janë përfunduar në 3 muajt e fundit.

Ndryshe, në këtë mbledhje u tha se Gjykata e Apelit vazhdon të ketë numrin më të madh të publikimit të vendimeve.

Në anën tjetër gjykata me normën më të lartë të efikasitetit ishte ajo supreme që raportoi normën e efikasitetit 97% dhe Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme 267%.

Komento: