Mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të mbahet gjatë nëntorit

13:55 | 27 September 2021

Dy qeveritë shqiptare do të mbajnë mbledhjen e radhës të përbashkët gjatë këtij viti. Në javën e fundit të muajit nëntor në qytetin e Durrësit, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë do të takohen për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe skanimin e ngecjeve në marrëveshjet ekzistuese.

Për efikasitet në zbatimin e marrëveshjeve është emëruar Gentian Sala si koordinator, pas takimit të përbashkët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama

Në një konferencë të përbashkët për medie, kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve shqiptare të thellohen dhe avancohen.

“Në takimin e sotëm biseduam për avancimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet dy qeverive tona. Nga viti 2014 deri më tani janë mbajtur 6 mbledhje të përbashkëta të dy qeverive, ku janë nënshkruar 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle. Biseduam edhe për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, për çka u vendos me të fillojnë përgatitjet me synimin që mbledhja e përbashkët të jetë në gjysmën e dytë të muajit nëntor. Njëkohësisht u dakorduam që të kemi edhe një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale e cila do të udhëhiqet nga Gentian Sala që ka dy pasaporta, atë të Republikës së Shqipërisë dhe atë të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri Rama tha se marrëdhëniet mes dy qeverive duhet të jenë mishërim i domosdoshmërisë për të lidhur më shumë këto dy shtete shqiptare.

“Jemi të motivuar dhe bashkërisht të angazhuar që ishte shumë e qartë në takim se këto marrëdhënie të shkojnë në një nivel tjetër. Meqenëse gjithë ato marrëveshje të zbatohen, ashtu sikur të tjera çështje për interesin reciprok të shtrohen për zgjidhje… Kjo është vizita e parë zyrtare për të konfirmuar vullnetin e plotë dhe të shprehim dëshirën se marrëdhëniet mes dy qeverive tona të jenë mishërim i domosdoshmërisë për të lidhur më shumë këto dy shtete shqiptare dhe për t’ia dhënë qytetarëve tanë mundësinë që të prekin jetën e përditshme…ramë dakord që në javën e fundit të nëntorit do të mbajmë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Durrës dhe ndërkohë do të punojmë intesivisht për të bërë gjithë skanimin e marrëveshjeve dhe vendimmarrjet e mbledhjes së dy qeverive ”, tha ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me një pjesë të kabinetit të tij qeverisës po qëndrojnë gjatë ditës sotme në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Komento: