Tensione të mëda në Maqedoninë e Veriut.
Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet të jetë në fokusin e takimi të sotëm të liderëve të partive më të mëdha politike në Maqedoninë e Veriut.
Takimi është inicuar nga presidenti Stevo Pendarovski, pasi vendi nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian. Takimi është caktuar për në ora 17:00 në rezidencën presidenciale “Villa Vodno”.
Kreu i shtetit ka marrë përgjigje pozitive nga të gjithë të ftuarit – liderët e partive më të mëdha politike nga qeveria dhe opozita. Pothuajse të gjithë, në vazhdën e takimit, kërkuan zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri Zoran Zaev propozoi zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejtë të jetë e mundur.
“Propozoj organizimin e zgjedhjeve të shpejta parlamentare. Zgjedhje sa më shpejtë të jetë e mundur. Zgjedhje në të cilat ju qytetarë do të vendosni për rrugën në të cilën duhet të ecë shteti ynë. Ky do të jetë edhe propozimi im në takimin e nesërm të liderëve tek presidenti Pendarovski. Organizimi i zgjedhjeve që qytetarët të tregojnë se në cilin drejtim të ecim tutje. Qytetarët kanë mandat të vendosin. Të vazhdojmë në rrugën e vërtetë të vlerave evropiane dhe demokratike, rrugën e zhvillimit, prosperitetit dhe rrugën që të shpie para, apo në rrugën e errët të izolimit, nacionalizmit, ndarjeve dhe konflikteve, respektivisht rrugën që kthen mbrapa. Qytetarët do të vendosin se a do të ndërtojmë partneritet me fqinjët dhe vende tjera demokratike, ose do të vazhdojmë me konfrontime dhe probleme me fqinjët dhe të gjithë miqtë tanë”-tha Zaev.
Kreu i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickovski tha se deklarata e Zaevit për zgjedhje të parakohshme parlamentare dëshmon se vetë kryeministri ka pranuar dështimet e tij.
Mickovski tha se në takimin e sotëm të liderëve pret ta dëgjojë drejtpërdrejtë propozimin nga Zaevi. Kërkoi zbatimin e ligjit për Qeveri teknike.
“Ligji është i qartë, dihet se çfarë do të thotë zgjedhje parlamentare, çfarë nënkuptojnë ligjet në zgjedhjet parlamentare, etj. Thjesht duhet t’i respektojmë dhe menjëherë të shpallim zgjedhje dhe të formojmë qeveri teknike, kryeministër teknik dhe të shkojmë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, deklaroi Mickoski pas një ngjarje partiake në Gostivar, si pjesë e fushatës “Bisedime për rindërtimin e Maqedonisë”-theksoi Mickoski.
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti tha se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet i shef si zgjidhje më e mirë të zhvillimeve pas mos marrjes së datës për nisjen e bisedimeve.
“Zgjidhja me e mirë për vendin është të shkohet në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Nuk do të doja të vendosemi si gjahtarë të fajeve sepse është e papranueshme të pranosh faj të pa bërë. Republika e Maqedonisë së Veriut është dëm kolateral i dallimeve që ka BE. Franca shfrytëzoj veton për arsye se BE është në kërkim të ndërtimit të situatave të reja për zgjerim dhe lideri i idesë është Franca. Me keqardhje e kanë prit të gjithë vendet më të mëdhenj të BE”-theksoi Ahmeti.
Nga Aleanca për Shqiptarët thonë se kërkesa për zgjedhje të parakohshme është lajmi i mirë pas dështimit që vendi të marrë datë për nisjen e bisedimeve me BE-në. Nga partia e Selës trhonë se janë të gatshëm për zgjedhje të reja.
“Lajmi të cilin e paralajmëroi kryeministri Zaev që vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme , është një lajm i mirë një lajm shprese, si rezultat i dhënies së përgjegjësisë edhe për një vit të humbur integrues. Ne jemi te bindur se se me këtë rast qytetarët e Republikës së Maqedonisë por në veçanti votuesit shqiptar do të kenë mundësi për të dhënë një legjitimitet të ri politik, sepse është vlerësuar se forcat udhëheqëse politike që janë pjesë e Qeverisë nuk kanë kredibilitetin dhe kapacitetin e duhur politik për ta çuar vendin drejt aspiratave tona dhe të qytetarëve për përcaktimin e vetëm të vendit tonë siç është BE-ja”-theksoi zëdhënësi i partisë Flakron Bexheti.
Edhe Lëvizja Besa ka përshëndetur propozimin e kryeministrit Zoran Zaev që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga ky subjekt politik ri-konfirmojnë qëndrimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në kohë sa më të shpejtë.
“Për fat të mirë, sygjerimin e Lëvizjes BESA për zgjedhje të parakohshme parlamentare e kuptoj drejt dhe qartë edhe kryeministri i vendit Zoran Zaevi cili përfundimisht e kuptoj se është koha që legjitimiteti t’i kthehet sovranit, i cili do të vendosë se kujt do t’i bartë përgjegjësinë për të udhëhequr me shtetin pas zgjedhjeve parlamentare”-thuhej mes tjerash në kumtesën e Lëvizjes Besa.
Partia Alternativa, pjesë e Qeverisë kërkon sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Kreu i këtij subjekti politik Afrim Gashi kërkoi ndryshime në kodin zgjedhor dhe pastrimin e listës zgjedhore.
“Alternativa kërkon që sa më shpejt të shpallen zgjedhje të parakohshme dhe ta verifikojmë verdiktin e qytetarit për përfaqësuesit e dëshiruar. Për këto arsye, planifikojmë që së shpejti ta ftojmë Kuvendin Qendror të partisë për ta marrë vendimin përfundimtar përkitazi me qëndrimin dhe pozicionin tonë të mëtutjeshëm. Natyrisht, para kësaj kërkojmë të ridefinohet Kodi Zgjedhor dhe të pastrohet lista zgjedhore”-pohoi lideri i kësaj partie, Afrim Gashi.
Presidenti Pendarovski në fjalimin e tij para opinionit pas vendimit negativ të Këshillit Evropian tha se tani është koha për të treguar unitet rreth orientimit strategjik të vendit, pavarësisht nga dallimet legjitime politike për shumë çështje. /Alsat