KQZ mban sot mbledhje pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Komisioni Qendror Zgjedhor do të mbajë mbledhje sot pasdite pas vendimit të Gjykatës Supreme, raporton Gazeta Express.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi tha për Gazetën Express se sot ky institucion do të mbajë mbledhje për të proceduar më tej pas vendimit të Supremes.
“KQZ do të mbajë mbledhje sot pasdite pas vendimit të Supremes për të proceduar më tej lidhur me certifikimin e subjekteve politike dhe të kandidatëve për deputetë”, tha Elezi.
Dje Gjykata Supreme ka vendosur për ankesat e subjekteve politike, ku nga pesë ankesat të subjekteve politike, dy prej tyre janë pranuar pjesërisht.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka mbetur jashtë listës
Në vendimin e Supremes thuhet se kandidatët për deputetë, Liburn Aliu dhe Labinotë Demi Murtezi, duhet të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, është refuzuar pjesërisht e pabazuar ankesa e LVV-së, duke vërtetuar vendimin e PZAP-së.
Subjektet politike kanë dërguar ankesa në Supreme në lidhje me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të mos certifikuar kandidatët për deputetë që kanë pasur probleme me ligjin.