
Ambasada e Kosovës në Pragë organizoi një mbrëmje koncertale në Sallën Perandorake të Muzeut Rajonal të Ústí nad Labem, në kuadër të muajit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, duke sjellë para publikut çek një program me muzikë vokale shqiptare.
Sopranoja Elona Sadiku, e shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha, krijoi një atmosferë të veçantë artistike, e cila u prit me emocion dhe duartrokitje nga të pranishmit, shkruan KultPlus.
Ngjarja u realizua në partneritet me Universitetin ‘Jana Evangelisty Purkyně’ në Ústí nad Labem, si dëshmi e përkushtimit për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.
Programi përfshiu këngë artistike dhe popullore shqiptare nga kompozitorë të njohur, duke shpalosur bukurinë dhe thellësinë emocionale të muzikës shqipe.
Një moment i veçantë ishte interpretimi i aries “Měsíčku na nebi hlubokém” nga opera Rusalka e kompozitorit çek Antonín Dvořák, që i dha koncertit një dimension simbolik si dialog muzikor mes dy kulturave. Aktivitetet e Muajit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe do të vijojnë me ligjërata akademike dhe ngjarje kulturore, ndërsa në mbrëmjen e radhës do të shfaqet filmi Hive, duke vazhduar prezantimin e artit kosovar para publikut çek./KultPlus.com