Mbreti Charles shënon ditëlindjen me ceremoni mbretërore dhe paradë ushtarake

20:25 | 13 Qershor 2026
mbreti-charles-shenon-ditelindjen-me-ceremoni-mbreterore-dhe-parade-ushtarake

Mbreti Charles ka festuar ditëlindjen e tij zyrtare me një ceremoni tradicionale mbretërore dhe ushtarake në Londër, e cila u shoqërua me paradën e njohur “Trooping the Colour”, një nga ngjarjet më simbolike të monarkisë britanike.

Ceremonia u zhvillua me madhështi dhe pompozitet të veçantë, duke tërhequr mijëra qytetarë dhe turistë në rrugët e kryeqytetit britanik, të cilët ndoqën nga afër spektaklin ushtarak dhe aktivitetet tradicionale që shënojnë këtë ditë të veçantë për familjen mbretërore.

Sipas BBC, parada nisi me pjesëmarrjen e mijëra ushtarëve, kalorësve dhe muzikantëve ushtarakë, të cilët defiluan nëpër rrugët e Londrës në një shfaqje të organizuar me përpikëri, duke përfaqësuar disa nga regjimentet më prestigjioze të Ushtrisë Britanike.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe anëtarë të familjes mbretërore. Catherine, Princesha e Uellsit, së bashku me fëmijët e saj, iu bashkua Mbretëreshës Camilla për të ndjekur ceremoninë, ndërsa spektakli u ndoq me interes të madh edhe nga mijëra qytetarë të tjerë.

Mbreti i ardhshëm, Princi George (12 vjeç), Princesha Charlotte (11 vjeç) dhe Princi Louis (8 vjeç), e ndoqën gjyshin e tyre nga një dritare në katin e parë të ish-zyrës së Dukës së Wellingtonit, me pamje nga sheshi ku po zhvillohej parada në qendër të Londrës.

Gjatë ceremonisë, regjimentet elitare të ushtrisë britanike i bënë homazhe Mbretit Charles III, i cili personalisht inspektoi njësitë ushtarake, ndërsa trupat shfaqën flamujt dhe simbolet e tyre zyrtare në kuadër të ceremonisë tradicionale.

Në përmbyllje të aktivitetit, familja mbretërore kalëroi nëpër rrugët e Londrës me karroca ceremoniale dhe më pas ndoqi nga ballkoni i Pallatit Buckingham fluturimin demonstrues të Forcave Ajrore Mbretërore, një tjetër traditë e njohur që shënon këtë ditë festive për monarkinë britanike.

Komento: