Mbrojtja e Jakup Krasniqit kërkon që ai të lirohet për dy javë: Është 72 vjeç, asnjë dëshmitar s’foli keq për të

14:32 | 07 Gusht 2023

Avokatja e Krasniqit kërkon që ai të lirohet për dy javë: Është 72 vjeç, asnjë dëshmitar s’foli keq për të.

Venkateswari Alagendra, avokatja e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi ka kërkuar që klienti i saj të lirohet përkohësisht për të kaluar pak kohë me familjen e tij në Kosovë.

Duke marrë parasysh pushimet e verës në Gjykatën Speciale në Hagë, avokatja e Krasniqit ka kërkuar që ai të lirohet për dy javë. Mbrojtja në kërkesën e saj thekson se Krasniqi ndodhet në paraburgim qe 2 vjet e 8 muaj, duke kërkuar që ai të lirohet nën mbikëqyrje.

Avokatja e Krasniqit pretendon se paraburgimi i Krasniqit s’është i domosdoshëm, pasi s’ka rrezik për t’u arratisur dhe për të penguar në procedurat gjyqësore.

“Deklaratat publike të z. Krasniqi janë ushtrim i fjalës së lirë dhe jo të mjaftueshme për të treguar një prirje ndaj ndërhyrjes në dëshmitarë”, thuhet në parashtresën e avokates Alagendra. Ajo shton se s’ka arsye të mjaftueshme për ta arsyetuar moslirimin e Krasniqit dhe se s’ka asnjë provë konkrete se ndonjë dëshmitar është frikësuar nga Krasniqi.

“Mungesa e ndonjë prove faktike që z. Krasniqi ka qenë i përfshirë në ndonjë kërcënim të dëshmitarit në këtë procedurë vë në pikëpyetje nevojën për paraburgim të vazhdueshëm”, thuhet në parashtresë.

Së dyti, Mbrojtja thekson se “vetëdija e z. Krasniqi për ecurinë e rastit gjatë katër muajve të fundit në fakt zvogëlon gjasat që ai të përfshihet në ndonjë aktivitet të ndaluar”.

“Prokuroria ka thirrur deri tani 11 dëshmitarët e saj të parë. Askush nuk ka folur keq për z. Krasniqi. [REDAKTUAR]. Provat që Paneli ka dëgjuar nuk e mbështesin atë karakterizimin e z. Krasniqi si person që ka gjasa të ndërhyjë në dëshmitar ose të kryejë krim të mëtejshëm. Për më tepër, është e vështirë të kuptohet se çfarë imagjinon Prokuroria se do të ishte motivimi i z. Krasniqi për t’i frikësuar dëshmitarët e mbrojtur të viktimave në këtë rast – shumica dërrmuese e të cilëve, siç do të ketë vërejtur Trupi Gjykues, nuk e përmendin fare z. Krasniqi ose të thonë thjesht se e dinin se ai ishte ai zëdhënës i UÇK-së”, thuhet në parashtresë.

Së treti, avokatja thekson se “Paneli tani ka një përvojë të vëzhguar efektin e paraburgimit dhe gjykimit të zgjatur për z. Krasniqi”.

“Në moshën 72 vjeçare, ai është dukshëm më i vjetër se të akuzuarit tjerë në këtë rast”, shkruan avokatja Alagendra.

Aty janë ofruar edhe disa kushte, si lirimi për dy javë i Krasniqit, vendi ku do të banonte, kontaktet e kufizuara dhe kush do të banonte me të.

Në alternativë, Mbrojtja kërkon që, nëse lirimi i përkohshëm refuzohet, Krasniqit t’i lejohen “vizita shtesë private në Njësinë e Paraburgimit gjatë pushimeve verore”, për të pasur kohë shtesë për të kaluar me familjen.

Komento: