
Mbrojtja e viktimave përmes avokates Anni Pues ka dorëzuar një parashtrim pranë DhSK-së duke kërkuar që ata të jenë të informuar për procedurat lidhur me rastin e Salih Mustafës i cili është në pritje të dorëzimit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme.
Në parashtrimet e veta të datës 23 janar 2024, Anni Pues ka theksuar se është thelbësore që të sigurohet informacion për viktimat dhe të iu ofrohet mundësia e parashtrimit.
“Në këto procedura për mbrojtjen e ligjshmërisë, mbrojtësi i viktimave paraqet vërejtje për mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave dhe interesave të viktimave. Ajo kërkon që është thelbësore të sigurohet informacion për viktimat dhe të ofrohen mundësi për të bërë parashtresa për aq sa këto kanë të bëjnë me të drejtat dhe interesat e viktimave”, thuhet në parashtrim duke theksuar që mbrojtja e viktimave kërkon që ata të mbetën të informuar për procedurat në këtë rast.
Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Mustafës ka kërkuar zgjatje të afatit kohor për të paraqitur kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë. Pas kësaj, ZPS-ja kishte dorëzuar përgjigjen e saj me 17 janar dhe po të njëjtën ditë kryetarja e DhSK-së kishte caktuar Kolegjin e Gjykatës Supreme. Ndërsa, mbrojtja e viktimave në parashtrimet e veta ka theksuar se në asnjërën prej këtyre dokumenteve ata nuk ishin përfshirë dhe informuar.
“Në asnjërën prej këtyre dosjeve, Avokati i Viktimave nuk ishte përfshirë në kopertinën e dosjes ose nuk u informua për dorëzimin. Sekretaria dorëzoi informacionin për miratimin e avokatit me një dosje më 18 janar 2024, që ishte rasti i parë në të cilin u përfshi edhe avokati i viktimave…Avokati i viktimave vëren se disa dosje kyçe nuk përfshinin avokatin e viktimave në fletën e parë, që do të thoshte se mbrojtësi i viktimave nuk ishte njoftuar për parashtresat dhe vendimin për të caktuar një Kolegj të Gjykatës Supreme”, thuhet në parashtrimet e mbrojtjes së viktimave.
Pues ka theksuar se viktimat kanë të drejtë të njoftohen për procedurat pranë DhSK-së dhe se mospërfshirja e tyre në këtë procedurë i prek të drejtat e tyre.
Mbrojtja e viktimave në parashtrimet e veta ka thënë se e drejta për dëmshpërblim i bën viktimat pjesëmarrëse në procedurë.
“Pas nxjerrjes së aktgjykimit përfundimtar në këtë çështje, tani është emëruar një gjyqtar i vetëm në procedura të veçanta në këtë rast në lidhje me zbatimin e Urdhrit për dëmshpërblim në këtë rast. Lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet procedurave para këtij Kolegji të Gjykatës Supreme dhe dëmshpërblimeve bëhet e dukshme në kërkesën e Mbrojtjes për të pezulluar zbatimin e urdhri i dëmshpërblimeve për shkak të procedurave të pazgjidhura këtu. Mbrojtja argumenton se procedurat aktuale mund të kenë ndikim në shtrirjen e dëmshpërblimeve të dhëna. Prandaj, drejtësia urdhëron që viktimave në këtë rast t’u mundësohet vazhdimi i pjesëmarrjes në këtë rast”, thuhet tutje në parashtrimet e mbrojtjes së viktimave, duke kërkuar që ata të përfshihen në listën e atyre që pranojnë dokumente në këtë procedurë në mënyrë që të njoftohen për zhvillimet përkatëse.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është caktuar paneli i gjyqtarëve të Supremes për të vendosur lidhur me kërkesën e Salih Mustafës, me të cilën ka kërkuar zgjatjen e afatit për dorëzimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Në vendimin e marrë më 17 janar 2024, thuhet se lidhur me këtë kërkesë dhe kërkesat e tjera që kanë të bëjnë me këtë çështje, do të vendosin gjykatësit Ekaterina Trendafilovën si kryesuese së bashku me dy anëtarët, gjykatësit Christine van den Wyngaert dhe gjykatësin Daniel Fransen. /Betimi për Drejtësi