Mbrojtja: Njerëz të lidhur me Serbinë deponuan në Speciale “prova” kundër Thaçit e Veselit

17:07 | 24 November 2022

Në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale është publikuar një dokument i hartuar nga ekipi mbrojtës i Kadri Veselit. Aty flitet për një dëshmitar i cili në dëshminë fillestare pranë Prokurorisë Speciale të Hagës kishte ndërlidhur emrat e Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit me rrjedhjen e dokumenteve, të cilat më pas u bënë publike nga OVL e UÇK-së, konkretisht Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Në këtë dokument shpjegohet se më pas, i njëjti person emri i të cilit nuk është zbuluar, ka tërhequr deklaratën e tij meqë kishte pretenduar se ishte informuar rrejshëm nga një person i cili kishte lidhje të ngushtë me inteligjencën serbe dhe Prokurorinë Speciale të Hagës.

Siç thuhet në këtë dokument të mbrojtjes, personi që kishte dëshmuar në Prokurorinë Speciale fillimisht kishte thënë se mund ta provonte që Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi kishin paguar para tek disa zyrtarë serbë për të marrë dokumentet nga Prokuroria e të cilat më pas ishin bërë publike nga OVL e UÇK-së.

Siç kishte pretenduar ky person, dikush i afërt me Kadri Veselin kishte marrë dokumentet në kufi me Serbinë dhe ua kishte dorëzuar ato Veselit dhe Thaçit. Gjithashtu ky person kishte pretenduar se e di personin që më pas i kishte dërguar ato në Zyrën e OVL të UÇK-së. Përveç kësaj ky dëshmitar, kishte pretenduar se Veseli dhe Thaçi kanë shitur kopje të dokumenteve.

Avokati Emerson thotë se lidhja e këtij personi me inteligjencën serbe është e qartë, meqë në traksriptë personi në fjalë njofton Prokurorinë Speciale të Hagës për planin e tij që të udhëtojë në Beograd e ku do të takojë burimin e tij dhe të marr më shumë përgjigje.

Mbrojtja e Kadri Veselit thotë se ka incizimet e 15 personave të cilët kanë komunikuar me Prokurorinë Speciale të Hagës që nga viti 2017.

Në këtë dokument të mbrojtjes flitet edhe për biseda të ruajtura të komunikimeve të ndryshme me Prokurorinë Speciale të Hagës.

Derisa potencohet se personi që ka qenë në kontakt me Prokurorinë Speciale, emri i të cilit mbahet sekret, ka hequr dorë nga pohimet e bëra dhe ka treguar se jo vetëm që ka gënjyer, por edhe që është gënjyer nga një informator i cili thuhet se ka qenë në kontakt të rregullt me Prokurorinë Speciale të Hagë dhe duket që ka qenë pikë kontakti për një numër dëshmitarësh dhe që ka qenë në kontakt direkt me një Prokuror Special.

Të dy personat në fjalë dyshohet se janë të lidhur me inteligjencën serbe, sipas ekipit të Veselit.

Për gjithë këtë, ekipi mbrojtës i Kadri Veselit kanë kërkuar që të kenë qasje në komunikimet që këta persona kanë pasur me Prokurorinë Speciale të Hagës, kanë kërkuar “Screenshot” të bisedave dhe gjithashtu përmendin edhe kontaktet që janë bërë me Jack Smith si Kryeprokuror i Speciales i cili tashmë s’është pjesë e Prokurorisë.

Gjithashtu kanë kërkuar qasje të plotë në të dhënat e paredaktuara të të gjitha kontakteve me të cilat ka biseduar Zyra e Prokurorit të Specializuar “përfshirë çdo telefonatë, mesazh apo shkëmbim tjetër në mes të [REDAKTUAR] dhe Jack Smith”.

Komento: