Me thirrjet që presidentja e vendit, Vjosa Osmani mos ta dekretojë Ligjin për pagën minimale ka përfunduar protesta e veteranëve të UÇK-së.
Veteranët kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera në vijimin në rast se ky Ligj dekretohet nga presidentja Osmani.
“I bëjmë thirrje presidentes Osmani që mos ta dekretojë Ligjin për Pagën Minnimale. Nëse është nevoja do të qëndrojmë me javë para qeverisë por nuk do të lejojmë të shkelemi e të shypemi”, u shpreh Luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Ajeti.
Protesta zgjati pak, derisa pjesë e saj ishin edhe disa deputetë nga partitë opozitare.
Deputetët e pushtetit e votuan të enjten Ligjin për pagën minimale, në të cilin nuk përfshihen veteranët.
Kjo ka nxitur edhe reagime të ashpra dhe indinjatë të madhe.
Veteranët e UÇK-së dhe opozita kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se bashkë me Listën Serbe janë dakorduar për të përjashtuar veteranët nga Ligji për pagën minimale.