Mbyllet votimi, “EXIT POLL”-et tregojnë se dy partitë kryesore janë “fyt për fyt” me rezultate në zgjedhjet kryesore të Gjermanisë

19:45 | 26 Shtator 2021

Social-demokratët e Olaf Scholz dhe Demokristianët e Armin Laschet janë “fyt për fyt” në zgjedhjet gjermane, sipas sondazheve të dala pas përfundimit të votimit në Gjermani.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Socialdemokratët e qendrës së majtë parashikohet të fitojnë 26 për qind të votave, sipas transmetuesit publik ZDF.

Demokristianët dhe partia e tyre motër bavareze, Unioni Kristian Social parashikohet të fitojnë 24 për qind, shkruan DPA.

Diferenca e vogël tregon se shpërndarja e vendeve në Bundestag do të jetë shumë e ngushtë, sipas sistemit të votimit të dyfishtë të Gjermanisë, ku votuesit zgjedhin një kandidat individual dhe një parti.

Duke u përballur me një të ardhme pa kancelaren Angela Merkel për një kohë të gjatë, sondazhet tregojnë për një pasiguri të mëtejshme për ekonominë më të madhe të Evropës.

Kjo pasi që dy ose ndoshta tre parti do të duhet të formojnë një qeveri koalicioni, por nuk është e qartë se cilat parti do të punojnë së bashku.

Siç vë në pah DW, për shkak të pandemisë së coronavirusit, sivjet shumë zgjedhës – rreth 38 deri në 40 për qind – kanë votuar në distancë me postë.

Sidoqoftë, edhe këto vota numërohen paralelisht me votat e hedhura fizikisht në kutitë e votimit gjatë së dielës (26.09).

Sistemi elektoral në Gjermani parashikon dy lloj votash, vota e parë për kandidatët dhe vota e dytë për partitë.

Është pikërisht vota e dytë për partitë që në bazë të numrit të votave përcakton edhe partinë me përqindjen më të lartë e si rrjedhojë edhe se kush do të jetë kancelare apo kancelar.

Pra vota e dytë për partinë është përcaktuese edhe për kancelarin. Në bazë të rezultateve përcaktohet niveli i përfaqësimit politik në parlament dhe numri i mandateve për secilën parti.

Po sipas DW, gjithsej janë 47 parti dhe grupime që konkurrojnë në zgjedhje – kaq shumë nuk ka pasur asnjëherë më parë në garë që pas ribashkimit të Gjermanisë.

Në Bundestag-un e 20-të gjerman sidoqoftë me gjasë do të përfaqësohen vetëm gjashtë partitë e si deri më sot: CDU/CSU, SPD, Të Gjelbërit, FDP, AfD, E Majta.

Komento: