Përhapja e madhe e koronavirusit në Kosovë ka bërë që shumë shtete t’ia mbyllin derën kosovarëve.
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të luajë ndeshjen e parë pas pandemisë COVID-19 më 3 shtator të muajit të ardhshëm.
Përballë Dardanëve do të jetë kombëtarja e Moldavisë, shtet ky që nuk njeh pavarësinë e Kosovës, e që duelin ndaj nesh e ka paraparë ta luajë në Itali.
Por, menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala ka thënë për klankosova.tv se ky duel mund të mos zhvillohet në ‘Ennio Tardini’ të Parmas.
Sipas tij, Italia ka mbyllur kufijtë për qytetarët nga Kosova dhe poashtu ata Moldavisë, pas rasteve të shumta së fundi me këtë virus.
“Plani ‘A’ është që ndeshja të zhvillohet në Itali dhe ne i kemi bërë gjitha përgatitjet për atje”, u shpreh fillimisht Shala.
“Mirëpo, kjo kushtëzohet nga hapja e kufijve të Italisë, sepse aktualisht ky shtet i ka mbyllur ato për ne dhe shtetin kundërshtar në këtë rast Moldavinë. Por, nëse kufijt nuk hapen sigurisht që organizatori do të ketë ndonjë opsion tjetër për zhvillimin e kësaj ndeshje”.