
Me rastin e ditës së përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” më 15 janar 2022 duke filluar nga ora 19:30 do të ndezë qirinj në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat e gjenocidit në Kosovë.
Në Prishtinë, aktivistët e kësaj Qendre qirinjtë do t’i ndezin në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa për të gjithë ata që nuk do të mund t’iu bashkëngjiten kanë apeluar të ndezin qirinjtë në ballkonet e shtëpive.
“Në të njëjtën kohë ftojmë shoqatat e viktimave të luftës dhe qytetarët e qyteteve të tjera të gjejnë formën e përshtatshme që të përkujtojnë viktimat e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Kujtojmë se, më 16 maj 2019, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën nëpërmjet së cilës krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë u cilësuan si gjenocid dhe u përcaktua që 15 janari të jetë Dita e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Serbisë në Kosovë./Kosovapress/