
Nis Manifestimi Tradicional në shënimin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së
Nën patronatin e kryeministrit Albin Kurti dhe përkujdesjen e Qeverisë, nën organizimin e Këshillit Shtetëror Ndërinstitucional kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot filloi Manifestimi Gjithëpopullor Tradicional për shënimin e Përvjetorit të 24-të, të Epopesë së Ushtrisë së Çlirimtare të Kosovës.
Sipas agjendës shtetërore, manifestimi nisi me ceremoninë rreshtimit të kuadrateve përfaqësuese nga të gjitha komandat dhe njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në këtë ceremoni, që u organizua edhe për Ditën e Kazermës “Adem Jashari”, morën pjesë liderët më të lartë shtetëror, që nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca, kori diplomatik dhe ai ushtarak ndërkombëtar, përfaqësues të Familjes Jashari, përfaqësues e personalitete nga institucioneve shtetërore, si dhe nga Organizatat e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të UÇK-së.
Pas inspektimit të trupave të rreshtuara nga ana e presidentes Osmani, në cilësi të Komandantes Supreme të Forcës së Sigurisë së Kosovës, shoqëruar nga Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ushtarakëve te rreshtuar, të pranishmeve dhe gjithë qytetarëve të vendit, me fjalimet e tyre ju adresuan Osmani, Kurti dhe Baca Rifat Jashari në emër të Familjes Jashari.
“Me këtë rast, rikujtojmë edhe sot se ky manifestim, tashmë tradicional, ka në epiqendër përkujtimin dhe nderimin maksimal të Betejës Unike në Historinë e Luftërave Çlirimtare, jo vetëm në historinë tonë kombëtare por edhe historinë botërore, të luftës së pashembullt dhe flijimin e 59 anëtarëve të Familjes Emblematike Jashari me Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe gjithë Prekazin Heroik”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes, transmeton Klankosova.tv.
Manifestimi do të vazhdoj sipas agjendës shtetërore me aktivitete të ndryshme përgjatë 5, 6 dhe 7 marsit.