Futbolli në Itali rikthehet me dy super derbi.
Në një takim mes 20 klubeve të Serie A të premten mbrëma është vendosur që sezoni në Itali të rifillojë me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, të cilat do të luhen më 13/14 qershor.
Do të zhvillohen dy ndeshjet e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë, dhe tifozët do të kenë mundësinë të ndjekin që në rikthimin e futbollit, skuadrat më të mira të Serie A viteve të fundit, Juventusin, Napolin, Interin dhe Milanin.
Juventus do të kërkojë kalimin në finale në sfidën përballë Milanit, ndërsa Napoli pret Interin.
Finalja e Kupës së Italisë do të zhvillohet më 17 qershor.
Nga 20 qershori, është planifikuar vazhdimi i Serie A, me katër ndeshjet e mbetura të xhiros së 25-të.
Ndeshjet në Itali, ashtu si në gjithë Evropën do të luhen pa tifozë.