
Nga 0-2, Interi ka përmbysur gjithçka në San Siro, për ta mposhtur në fund 4-2 Torinon. Në këtë xhiro në Serie A, pikët e plota i ka marrë edhe Roma, që në Olimpico e mundi 3-0 Parmën.
Interi i Antonio Contes e ka treguar fytyrën e vërtetë të dielën mbrëma në ‘San Siro’.
Zikaltrit kanë rrëmbyer pikët e plota me përmbysje, duke triumfuar në fund 4-2.
Mysafirët i shokuan vendasit në minutën e 45’ me Simone Zazan dhe 62’ me Cristian Daniel Ansaldin, që shënuan për 0-1 dhe 0-2.
Por, goli i dytë i mysafirëve sikur i zgjoi nga gjumi vendasit pasi nga minuta e 64’, përmbysën gjithçka deri në fund dhe fituan 4-2.
Fillimisht Alexis Sanchez dhe Romelu Lukaku shënuan në minutat 64’ dhe 67’ për të barazuar gjithçka.
Goli i përmbysjes së madhe erdhi në minutën e 84’, për 3-2 ka shënuar Romelu Llukaku, nga pika e bardhë, penallti që u akordua pas konsultimeve me VAR.
Kurse goli i qetësisë dhe fitores erdhi nga Lautaro Martinez, që në këtë ndeshje hyri në pjesën e dytë. Ai shënoi për 4-2 në minutën e 90.
Pas kësaj fitore, Interi ka shkuar në kuotën e 15 pikëve në vendin e pestë.