Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Serbia Aleksandar Vuçiq “janë përplasur” të premten në një forum të mbajtur në Bratislavë të Sllovakisë. Dy presidentët u shfaqën me qëndrime diametralikisht të kundërta lidhur me rrugën drejt vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi.
Forma e vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi u bë mollë sherri mes presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, të cilët janë takuar sy më sy të premten në një forum ndërkombëtar në Bratislavë të Sllovakisë, ku u shfaqën me qëndrime tejet të kundërta.
Teksa presidenti i Kosovës Thaçi akuzoi presidentin serb Vuçiq për kushtëzim, përkatësisht pengim të vazhdimit të dialogut me Kosovën, ishte Aleksandar Vuçiq ai i cili deklaroi se pa u hequr taksa nuk do të ketë vazhdim të dialogut. Madje presidenti serb tha se nëse Kosova e heq taksën ndaj produkteve serbe, atëherë Serbia menjëherë do të rikthehet në dialog.
Përplasje mes dy presidentëve pati edhe lidhur me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin e kërkoi presidenti serb Vuçiq. Mirëpo edhe për këtë presidenti i Kosovës Thaçi theksoi se Asociacioni do të bëhet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shkruan Zëri.
Njohësit e çështjeve politike në vend shprehen të bindur se dialogu Kosovë – Serbi nuk të vazhdojë së shpejti, për shkak se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e një marrëveshjeje me Kosovën.