Me shumë mungesa, Kosova e pret Greqinë për herë të parë në Fadil Vokrri

09:36 | 06 September 2020

Kosova me shumë mungesa e pret Greqinë për herë të parë në Fadil Vokrri.

Kosova do të përballet me disa mungesa shumë të mëdha në ballafaqimin e parë me Greqinë të dielën mbrëma në Prishtinë.

Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Greqisë, një shteti tjetër që s’e njeh pavarësinë e saj, në stadiumin Fadil Vokrri në qytetit, në takimin e rrethit të dytë në Grupin 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve, raporton Gazeta Express.

Ndeshja nis në orën 20:24.

Dardanët vijnë në këtë takim nga një barazim zhgënjyes (1:1) në ndeshjen e tyre hapëse kundër Moldavisë të premten në Parma.

Derisa ai takim i solli sadopak kokëdhimbje trajnerit zviceran Bernard Challandes, shkaku i mungesës së Vedat Muriqit dhe formës së futbollistëve të tij, ndeshja me Greqinë do t’i sjellë shumë më shumë ndërlikime.

Në mungesë të Muriqit, Challandes luajti me Kolollin, një mbrojtës krahu në ekipin kombëtar dhe mesfushor i shquar në Zurich, në përpjekje për t’i qëndruar besnik skemës së vet të njohur taktike.

Yjet si Milot Rashica i Werder Bremen, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli të Zurich dhe Leart Paqarada i St. Pauli nuk u lejuan të udhëtonin drejt Prishtinës për këtë ndeshje për shkak të pandemisë Covid-19.

Kosova është në listën e vendeve të rrezikuar nga koronavirusi, prandaj atyre do t’iu kërkohej të vetizoloheshin sapo të ktheheshin nga Prishtina.

Muriqi i Fenerbahces do të mungojë edhe në këtë takim, shkaku i një dëmtimi.

Por për ndeshjen e së dielës, Challandes paralajmëroi ndryshim.

“Ndoshta do të ndryshojmë, ndoshta. Por, ne flasim nganjëherë shumë për skemën. Duhet të kemi parasysh se kemi kundërshtar që nuk mund të luajmë vetëm si duam ne. I mbesim besnik filozofisë sonë. Mund të ketë detaje që ndryshojnë në skemën organizative”, tha Challandes të shtunën në një konferencë për media.

Ai këmbëngul se Kosova do të futet në këtë takim për t’i fituar të gjitha tri pikët.

“Jo nuk futemi për barazim. Futemi për fitore. Kjo është filozofia ime. Por, kjo nuk nënkupton që nuk duhet pajtohemi edhe me tjetër rezultat. Filozofia ime nuk lejon të përgatitem për barazim, por vetëm për fitore. Duhet të dimë se individualisht qëndrojmë keq, për shkak të stërvitjeve, transferimeve dhe klubeve. Ka shumë situata që duhet t’i kalkulojmë. Në të gjitha këto, unë duhet të komponoj skuadrën më të mirë për nesër”, shtoi ai.

Edhe Greqia barazoi në ndeshjen e saj të parë kundër Sllovenisë të premten.

Në ndeshjen tjetër të rrethit të dytë, Sllovenia takohet me Moldavinë në të njëjtën kohëh.

Ndeshjet e rrethit të tretë dhe katërt në Grupin 3 do të zhvillohen në nëntor.

Komento: