Evropa po përballet me temperatura të larta.
Më shumë se 16 mijë persona janë evakuuar në Francë, për shkak të kërcënimeve nga zjarret në jugperëndim të vendit, ndërsa situata mbetet kritike edhe në Spanjë, Kroaci dhe Greqi. Mbi 10 mijë hektarë sipërfaqe janë djegur në rajonin popullor turistik të Girondes në Francë, me flakët që janë përhapur edhe në zonat e Teste-de-Buchdhe Landiras.
Qindra zjarrfikës në Katalunjë të Spanjës luftuan me flakët që u përhapën me shpejtësi drejt zonave të banimit duke detyruar qytetarët të braktisin shtëpitë e tyre. Më shumë se 3200 persona u evakuuan nga kodrat Mijas pranë Malaga në jug të Spanjës, edhe pse më vonë disa u rikthyen. Nën pushtetin e flakëve janë edhe rajonet e Castillay León, Galicia dhe Extremadura.
Më shumë se 1 mijë vdekje i janë atribuuar të nxehtit në Portugali dhe Spanjë gjatë ditëve të fundit. Përreth Mesdheut, nga Maroku në Perëndim, te Kreta në lindje, mijëra zjarrfikës dhe helikopterë që hedhin ujë janë mobilizuar për të vënë flakët nën kontroll.
Që prej së martës, i gjithë rajoni është përvëluar, nën kthetrat e të nxehtit ekstrem. Temperatura deri në 41 gradë celsius u regjistruan të dielën në Francë, me rekorde të reja që pritet gjatë ditëve në vazhdim. Në Portugali termometri shënoi 47 gradë. Në Britaninë e Madhe është ngritur alarmi i kuq për një valë ekstremi të të nxehtit në pjesë të Anglisë, me temperaturat që pritet të arrijnë në 41 gradë.