Emrat e më shumë se 18 mijë personave të vdekur janë larguar nga lista votuese e Zgjedhjeve Lokale e cila do të shpërndahet në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas zgjedhjeve të fundit parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti, ka vazhduar me aktivitete të ndryshme me qëllim të pastrimit dhe saktësisë së listës votuese.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar me pastrimin e listës votuese. Në këtë drejtim, është bërë një punë e madhe në zgjedhjet e fundit të të cilat janë mbajtur më 14 shkurt. Që nga procesi i fundit zgjedhor, KQZ-ja ka gjetur një metodë të veçantë që i shërben pastrimit dhe saktësisë të listës votuese. Nga departamenti i pensioneve që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kemi pranuar një bazë të të dhënave me emrat e personave të cilët janë larguar nga skema pensionale për shkak të vdekjes dhe zyrtarët e KQZ-së kanë dalë në teren dhe kanë verifikuar këto të dhëna”, tha Elezi.
Sipas Elezit, procesi i verifikimit në terren është bërë përmes zyrave të gjendjes civile në komuna; bashkësive lokale fetare dhe përmes përfaqësuesve të fshatrave.
“Pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, numri i personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese është 18 mijë e 252. Pjesë më e madhe e tyre, 14 mijë e 81 emra, janë larguar nga lista votuese sepse të njëjtit janë larguar nga skema pensionale”, bëri të ditur Elezi.
Zëdhënësi i KQZ-së, Elezi, bëri gjithashtu të ditur se pjesë e listës votuese nuk do të jenë as personat të cilët kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës. Ky numër, vetëm prej pas zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, është 1 mijë e 158 persona.
Në fillim të muajit shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën përfundimtare të votuesve, e cila tregon për numrin e votuesve brenda dhe jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2021. Sipas kësaj liste, e cila do të shpërndahet në vendvotime, më 17 tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, ndërsa numri i qytetarëve të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532 votues.
Në ditën e zgjedhjeve në Kosovë do të hapen 883 qendra të votimit, me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.