Mediat i quajti të shitura, AGK i reagon Haradinajt

22:38 | 08 Prill 2022

Gazetarët janë gjithmonë cak i sulmeve të shumta.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi ky i fundit sulmoi mediat në Shqipëri dhe Kosovë.

AGK shkruan se gjuha e përdorur nga Haradinaj, rrezikon sigurinë e gazetarëve.

“Kryetari i AAK-së njëherish deputeti, Ramush Haradinaj, ka sulmuar sot mediat në Shqipëri dhe Kosovë duke i quajtur “mercenarë” dhe “të shitur”, pas pretendimeve të tij se ato kanë raportuar se mund të konsiderohet si kandidat për President të Shqipërisë. Për më tepër, Haradinaj i ka akuzuar mediat se punojnë “kundër interesave të Shqipërisë dhe Kosovës”. Një gjuhë e tillë është kërcënuese, denigruese, e papranueshme dhe që rrezikon sigurinë e gazetarëve”, shkruhet në reagimin e AGK-së.

Tutje AGK-ja i ka bërë thirrje Haradinajt që ankesat t’i drejtojë në organet vetërregulluese dhe të përmbahet nga gjuha fyese dhe kërcënuese.

“AGK-ja e fton zotin Haradinaj dhe të gjithë akterët politikë që ankesat e tyre për raportimet t’i drejtojnë në organet vetërregulluese, dhe të përmbahen nga gjuha fyese dhe kërcënuese”, përfundon reagimi i AGK-së.

Komento: