Mediat në Serbi, policia e Kosovës i demanton shkrimet se janë maltretuar disa të rinj serbë në Leposaviq

08:26 | 16 Qershor 2024
mediat-ne-serbi,-policia-e-kosoves-i-demanton-shkrimet-se-jane-maltretuar-disa-te-rinj-serbe-ne-leposaviq

Policia e Kosovës ka reaguar pas shkrimeve në disa mediume serbe se kinse janë keqtrajtuar disa të rinj serbë në Leposaviq.

Organet e rendit i konsiderojnë këto shkrime të pavërteta dhe tendencioze.

“Policia e Kosovës, njësitë policore të rendit, reagimit të shpejtë në DRP Mitrovicë Veri, gjatë realizimit të detyrave të rregullta policore, kanë reaguar në një rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike te një kafiteri, ku ndaj dy personave ka shqiptuar gjobë për prishje të rendit publik”, thuhet në reagim.

Tutje në këtë reagim, theksohet se Policia e Kosovës udhëhiqet nga parimet më demokratike dhe të gjitha masat dhe veprimet policore i ka ndërmarrë në funksion të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe garantimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Andaj, deklarimet e tilla tendencioze, nuk iu shërbejnë qytetarëve e as sigurisë publike, pasi veprimet policore janë mbështetur në procedurat e parapara ligjore përfshirë atë të ruajtjes së rendit e qetësisë publike. Për informacione zyrtare ftojmë mediat dhe të gjitha palët që ti referohen informacioneve zyrtare të Policisë se Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Komento: