Mediat spanjolle: Daku mund të dënohet me përjashtim nga ndeshjet e Evropianit

16:20 | 21 June 2024

Organizata ombrellë e futbollit evropian UEFA njoftoi të premten se ka nisur hetime për sjelljen e tifozëve në ndeshjen ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë.

UEFA po heton thirrjet anti-serbe, të cilat dyshohet se kanë përfshirë tifozë të të dyja skuadrave.

Nën hetim është edhe futbollisti i kombëtares shqiptare, Mirlind Daku, i cili pas ndeshjes ka marrë megafonin dhe ka brohoritur: “Të q*** shk***, q*** maqedonët”.

Federata Serbe e Futbollit reagoi ashpër dhe i dërgoi një letër UEFA-s duke kërkuar dënime të rëndë për të gjithë të përfshirët.

UEFA ka njoftuar se do të marrë një vendim dhe gazeta spanjolle AS pretendon se verdikti do të ndodhë në orët në vijim dhe se dënimet do të jenë “të ashpra”.

Nuk përjashtohet që vendimet të mësohen gjatë së shtunës.

E njëjta media spanjolle shkruan se të dyja federatat, ajo shqiptare dhe ajo kroate, mund të marrin gjoba të konsiderueshme.

Sipas spanjollëve, Daku mund të dënohet me përjashtim nga ndeshjet e Evropianit dhe “pothuajse me siguri do të mungojë në ndeshjen kundër Spanjës të hënën”.

Komento: