Gazeta e madhe zvicerane, Blick, ka shkruar se e ardhmja e Bernard Challandesit në postin e përzgjedhësit të Kosovës nuk është e sigurt.
Por kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë për Koha.net se nuk ka vend për brengosje. Ademi e vlerëson punë të kryer vazhdimin e kontratës me përzgjedhësin me të cilin Kosova ka shënuar ngritjen e madhe.
Challandes ka kontratë deri në muajin qershor. Ai ka 11 fitore e pesë barazime në 20 ndeshje si përzgjedhës i Kosovës. Selektor i Kosovës ishte emëruar më 2 mars të vitit 2018.
Zvicerani 68-vjeçar vlerësohet lartë për punën që e bënë si selektor. Kosova është dy fitore larg Evropianit. Me Challandesin përzgjedhës, Kosova ka arritur fitore të mëdha, ndërsa për ecurinë e saj kanë shkruar mediat më të mëdha ndërkombëtare. Zvicerani respektohet e çmohet edhe nga tifozët e shumë të Kosovës.
“Nëse Bernard Challandes është shëndosh e mirë, ai do të vazhdoj me Kosovën. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë e besoj shumë që edhe Bernard Challandes ka disponim të njëjtë”, ka thënë Agim Ademi të shtunën për Koha.net.
Challandes gjithnjë ka shprehur respekt për Kosovën. Nuk ka dhënë shenja që nuk është i interesuar të vazhdojë me Kosovën.
“Sllogani ynë është: vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi. Kjo vlenë edhe sa i takon së ardhmes së Challandesit”, ka thënë Ademi.