Mëditjet marramendëse të Kryeshefit dhe dy drejtorëve të Telekomit të Kosovës

10:30 | 08 February 2020

Kryeshefi dhe dy drejtorët e ‘fikun’ Telekomin e Kosovës me mëditje për muajin dhjetor.

7 mijë e 710 euro janë shpenzuar vetëm në muajin dhjetor të vitit të kaluar nga drejtori ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, së bashku me dy drejtorët e tjerë të kësaj ndërmarrje dhe zyrtares për biznese të reja.

Bedri Istrefi, drejtor ekzekutiv, Faton Isufi, drejtor në departamentin e Teknikës, Armend Osaj, drejtor i financave dhe Teuta Pula, zyrtare për biznese të reja, në muajin e fundit të vitit të kaluar shpenzuan më shumë se 7 mijë euro për shpenzime mëditje, shpenzime materiale dhe shpenzime për një vizë amerikane, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar faturat e muajit dhjetor të Bedri Istrefit. Ai vetëm gjatë muajit dhjetor ka shpenzuar fiks dy mijë e 65 euro që përfshinë edhe mëditjen e tij.

Më shumë se 1 mijë e 900 eurove, Istrefi i ka kushtuar Telekomit të Kosovës për shpenzime dhe mëditje. Ai për datën 3 dhjetor i ka kushtuar Telekomit të Kosovës 942 euro, pa përfshirë këtu pagën e tij.

Më datën 24 dhjetor, Istrefi i ka kushtuar Telekomit të Kosovës 971 euro. Ndërkohë që Istrefi ka shpenzuar edhe 152 euro për vizë amerikane.

I kushtueshëm për buxhetin e Telekomit të Kosovës në muajin dhjetor ka qenë edhe drejtori i Teknikës, Faton Isufi. Ai gjatë këtij muaji nga shpenzimet e mëditjet i ka kushtuar Telekomit të Kosovës fiks 2 mijë e 257 euro, pa u përfshirë këtu paga e tij.

Edhe drejtorit i Financave, Armend Osaj, ka pasur kosto të lartë gjatë muajit dhjetor për Telekomin e Kosovës. Ai vetëm për muajin dhjetor ka përfituar mbi 1 mijë euro mëditje.

Në fakt, keq për nga mëditjet dhe shpenzime të udhëtimeve nuk qëndron as Teuta Pula. Ajo mëditje dhe shpenzime gjatë muajit dhjetor të vitit 2019, ka përfituar 1 mijë e 142 euro, ndërsa ka shpenzuar në udhëtim edhe 1 mijë e 220 euro.

Përkundër krizës financiare të Telekomit të Kosovës, drejtorët e kësaj ndërmarrje vazhdojnë të kushtojnë mijëra euro vetëm për shpenzime të mëditjeve dhe dreka e udhëtimeve zyrtare.

Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për shpenzimet e kësaj ndërmarrje, e cila muajt e fundit po ka probleme me pagesën e punëtorëve. Vetëm ditë më parë kryetari i sindikatës së kësaj ndërmarrje, Lami Balaj, kishte konfirmuar se një pjesë të stafit të Telekomit nuk i është transferuar ende paga e janarit.

Përkundër që afati ligjor parasheh që pagat e punëtorëve të kësaj ndërmarrje të ekzekutohen që nga 1 deri më datën 10, paga e muajit janar shumë prej punëtorëve nuk u është ekzekutuar ende.

Në anën tjetër 10 ditë më parë, Qeveria Haradinaj kishte refuzuar kërkesën e Telekomit të Kosovës e cila kishte kërkuar ndarjen e 5 milionë eurove.

Komento: