Selektori i Zvicrës, Murat Yakin e publikoi sot listën e të ftuarve për ndeshjet e marsit.
Në mesin e të ftuarve për duelet me Bjellorusinë dhe Izraelin ishin edhe tre futbollistë nga Kosova, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Andi Zeqiri, ndërsa mungon emri i Ardon Jasharit, shkruan Express.
E mediat serbe i kanë dhënë jehonë këtij fakti, duke e pasur parasysh se Granit Xhaka u vesh me fanellën “Jashari” pas lojës që Zvicra e çoi në shtëpi Serbinë në “Katar 2022”.
“Zvicranët në Serbi pa kosovarin që bëri furtunë në Katar: Fanella e tij bëri kaos, tani është lënë jashtë”, shkruan mediumi serb “Blic”, i cili e përmend faktin se Xhaka e shfaqi fanellën Jashari, duke aluduar qartë me mbiemrin identik të tij me heroin kombëtar shqiptar, Adem Jashari dhe me familjen legjendare Jashari.
Zvicra do të luajë me Bjellorusinë në Novi Sad të Serbisë pasi FIFA ua ka ndaluar bjellorusëve zhvillimin e ndeshjeve në shtëpi për shkak të përkrahjes së tyre të luftës së Rusisë në Ukrainë.
Kjo ndeshje do të luhet më 25 mars pa praninë e shikuesve.