
Ish-ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar pas vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ish-ministri Mehaj e ka vlerësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për sigurinë kombëtare dhe institucionet e sigurisë në Kosovë.
Në deklaratën e tij, ministri Mehaj ka theksuar përkushtimin dhe punën e vazhdueshme disavjeçare që është bërë për të arritur këtë marrëveshje.
“Pas një pune dhe përkushtimi disavjeçar, i lumtur të shoh jetësimin formal të Marrëveshjes e cila u nënshkrua sot, ndërmjet Qeverisë së Republikes se Kosovës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.
Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë shprehur mënyrën se si kjo marrëveshje do të ndikojë në sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Kurti ka theksuar se siguria kombëtare është një prioritet thelbësor për Qeverinë dhe se ajo përfshin veprime të mençura në fushën politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve.
Ambasadori Hovenier ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit të sigurisë pa pengesa dhe theksoi se SHBA-ja ka detyrimin për të mbrojtur dhe shkëmbuar informatat e klasifikuara me Kosovën.
Ai gjithashtu ka shtuar se SHBA-ja mbështet sovranitetin e Kosovës dhe synon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, veçanërisht në organet e sigurisë.