Melihate Tërmkolli kujton 23 marsin e vitit 1989: Vendosëm për jetën, anipse vde*kja na rrinte mbi kokë

18:38 | 24 March 2025
melihate-termkolli-kujton-23-marsin-e-vitit-1989:-vendosem-per-jeten,-anipse-vde*kja-na-rrinte-mbi-koke

Sot bëhen 36 vjet nga një prej ditëve më të rënda për Kosovën dhe popullin shqiptar.

Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, u miratua ndryshimi i Kushtetutës së vitit 1974, duke suprimuar autonominë e Kosovës dhe duke e vendosur atë nën kontrollin e plotë të Serbisë.

Në një sallë të rrethuar nga forcat ushtarake dhe tanket e ushtrisë jugosllave, 10 delegatë shqiptarë guxuan të ngrinin zërin kundër këtij vendimi historikisht të padrejtë.

Ata ishin: Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Ukë Bytyqi, Mehdi Uka, Sadik Zuka, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Shkëlzen Gusia, Remzi Hasani dhe Agim Kastrati.

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli, njëra nga ata që kundërshtoi suprimimin e autonomisë, kujton këtë ditë të dhimbshme si një akt të madh guximi dhe përkushtimi ndaj Kosovës.

“Në mbrojtje të Kosovës, të shqiptarëve, dolën 10 delegatë nga 190 sa kishte Kuvendi. Ukë Bytyqi, Riza Lluka, Melihate Tërmkolli, Mehdi Uka, Sadik Zuka, Menduh Shoshi, Bajram Buçani, Shkëlzen Gusia, Remzi Hasani, Agim Kastrati”.

“Ishte vendim i popullit, i shqiptarëve. Vendimin e popullit e çuam në vend, në Kuvend, të rrethuar me tanket e ushtrisë serbe-jugosllave”, ka shkruar ajo në një dedikim për këtë ditë historike.

“Vendosëm për jetën, anipse vdekja na rrinte mbi kokë. Ishte vendim i popullit, i shqiptarëve. Vendimin e popullit e çuam në vend, në Kuvend, të rrethuar me tanket e ushtrisë serbe- jugosllave. Për të mos harruar!”, ka shkruar tutje Tërmkolli.

Vendimi i 23 marsit 1989 shënoi fillimin e një periudhe të errët për shqiptarët në Kosovë, të cilët më pas do të përballeshin me shtypje sistematike dhe shkelje të të drejtave të tyre deri në luftën çlirimtare të viteve 1998-1999.

Sot, 36 vjet më vonë, kjo ditë kujtohet si një simbol i qëndresës dhe sakrificës për lirinë dhe të drejtat e Kosovës.

Komento:
loading