Memli Krasniqi-Albin Kurtit: Marrëveshja me Serbinë s’është çështje private në mes teje e Vuçiqit

13:01 | 13 Shkurt 2023

Krasniqi, Kurtit: Marrëveshja me Serbinë s’është çështje private në mes teje e Vuçiqit.

Ka nisur seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës e thirrur nga PDK-ja, ku do të diskutohet në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryeministri i vendit Albin Kurti të japë detaje në lidhje me marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi madje i dha edhe disa pika të cilat duhet t’i qartësojë kryeministri.

“Sot jemi këtu të kërkojmë nga kryeministri të bëhet i përgjegjshëm e të na njoftojë me detaje rreth tri çështjeve themelore secila me pyetje specifike: Çka është qëllimi i propozimit evropian? A ofron ky propozim mundësinë e marrëveshjes finale, apo veç krijimi i status quosë së re? A është ky propozim vazhdimësi e dialogut të deritashëm apo një pikënisje e një procesi të ri? Cila është korniza kohore për arritjen e marrëveshjes? A është një lloj traktati që i njeh si entitetet sovrane Kosovën dhe Serbinë? A e keni pranuar këtë tekst në parim dhe sa do të ndryshojë nga ai final? A e parasheh ky propozim njohjen në mes Kosovës e Serbisë? Kush janë garantuesit e marrëveshje? A ia keni kumtuar gjashtë kushtet e asociacionit?”, është shrpehur Krasniqi.

Sipas Krasniqit marrëveshja finale nuk është çështje private në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por çështje shtetërore në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja potenciale s’është çështje private në mes teje e Vuçiqit, por shtetërore, pra në mes të Kosovës e Serbisë”, ka thënë Krasniqi, njofton Klankosova.tv

Ai tha se do të kishte qenë e udhës që qeveria ta kishte thirrur opozitën për një diskutim të hapur e transparent që ta njoftonte në mënyrë periodike për ecurinë e dialogut, sepse, sipas tij, çdo qeveri e përgjegjshme, një temë të tillë do të duhej ta shtronte në një rrafsh shoqëror, shtetëror e kombëtar dhe më së paku partiak e polarizues.

“Kjo seancë nuk ka karakter të përplasjes e akuzës, ka karakter të kërkesës për informim legjitim,. me atë se çka po ndodh në dialog dhe cili është pozicioni i qeverisë përballë zhvillimeve të fundit.. s’jemi këtu për të dhënë mendimet tona për çështje specifike sepse nuk e dimë çka përmban plani franko-gjerman”, ka shtuar ai.

Komento: