Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqu, ka qëndruar sot gjatë gjithë ditës në Prizren, ku bashkë me kandidatin për kryetar të ardhshëm të Prizrenit, Shaqir Totaj, kanë takuar shumë qytetarë nëpër lagje të ndryshme të Prizrenit.
Vizitën e tij në Prizren, lideri i PDK-së e ka nisur duke vizituar Bashkësinë Islame të Kosovës në këtë qytet, ndërsa gjatë ditës ka takuar qytetarë nëpër disa lagje ku bashkë me kandidatin Shaqir Totajn kanë shpalosur vizionin e ri për qytetin e Prizrenit.
Ndërsa në mbrëmje, kreu i PDK-së ka qëndruar në lagjen Kurillë ku së bashku me qytetarë të Prizrenit ka pirë caj tradicional nëpër çajtore, një traditë kjo që e kishin ndjekur edhe presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari Kadri Veseli.
Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Krasniqi është shprehur se ka kaluar një ditë fantastike në Prizrenin e dashur, qytetin e identitetit, kulturës, traditës e mikpritjes.
Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi:
Një ditë e ngjeshur e fantastike sot në Prizrenin e dashur, qytetin tonë të identitetit, kulturës, traditës e mikpritjes.
Fillimisht, ndalova në Degën e Bashkësisë Islame në Prizren, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj punës së tyre shumëdimensionale, jo vetëm në ngritjen shpirtërore por edhe në mirëqenien e komunitetit, si dhe në kultivimin e tolerancës e mirëkuptimit që i jep vlerë kryeqytetit tonë historik.
Gjatë ditës, i shoqëruar nga kandidati ynë Shaqir Totaj, ndamë për së afërmi e së bashku me qytetarë të Kurillës, shpresën që po vjen e perspektivën që po i rikthehet Prizrenit pas 17 tetorit, kur Shaqa do marrë besimin e tyre për të qeverisur.
Natyrisht e si çdo herë, nën shoqërinë e qytetarëve mikpritës e dashamirë, përmbylla vizitën në Prizren në çajtoret e famshme të Kurillës.
Prizreni ka humbur shumë kohë, prandaj ne s’kemi kohë për të humbur. Me 17 tetor, fitojmë. Me 18 tetor nisim punën. Së bashku për Prizrenin e identitetit tonë. Prizrenin e zhvillimit e perspektivës për të cilin kanë nevojë qytetarët e tij.