Memli Krasniqi flet për aksionin në veri: Nuk ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtar

22:17 | 28 September 2021

Krasniqi: Për aksionin në veri nuk ka pasur koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka folur për situatën në veri të Kosovës, pas vendosjes së masës së reciprocitetit me Serbinë për targat.

Ai në emisionin “CONTEXT” në ATV ka thënë se PDK-ja e ka parë veprim legjitim e të nevojshëm vendosjen e masës së reciprocitetit me Serbinë.

“Nga perspektiva e PDK-së vendimi ka qenë legjitim dhe i nevojshëm, nuk kemi qenë krejt të sigurt për momentin në të cilin është zgjedhur, meqenëse nuk ka pasur një transparencë tek pjesa e vendimmarrjes. Jam munduar ta kuptoj në takimin me Kryeministrin Kurti, por sidoqoftë përtej saj vendimi është i drejtë, legjitim dhe kushtetues dhe është vendim sovran i shteti të Kosovës dhe si i tillë duhet të zbatohet,”- tha Krasniqi.

Sipas tij, veprimet e Serbisë në veri dhe tendencat për përshkallëzim të situatës duhet të merren me seriozitet.

“Veprimet e Serbisë nuk janë vetëm simbolike dhe duhet marrë me seriozitet. Qëllimi ynë para së gjithash ka qenë për sigurinë fizike dhe mirëqenien e policëve dhe zyrtarëve tjerë të shtetit, të cilët janë në veriun e vendit duke siguruar zbatimin e masës së reciprocitetit”, tha ai.

I pari i PDK-së ka kërkuar që të ketë koordinim të plotë me Bashkësinë Ndërkombëtare.

“Arsyeja përse ne kemi kërkuar koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtar është për faktin se nuk ka pasur një koordinim paraprak. Është evidente se koordinim nuk ka pasur sepse ne kemi edhe komunikimet tona me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it,” – shtoi Krasniqi.

Komento: