Krasniqi i shokuar për rastin në Pejë: Duhet të monitorohen institucionet e kujdesit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi është shprehur i shokuar nga ngjarja në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.
Kreu i partisë më të madhe opozitare ka shkruar në faqen e tij në Facebook se dhuna ndaj një gruaje të moshuar nga personeli që do të duhej të kujdesej për të, tregon problemet e thella që ka shoqëria jonë.
“Për më shumë, dhembja është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për keqtrajtimin e një nëne të dëshmorit të lirisë. Por, fatkeqësisht, këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”, tha Krasniqi.
Ai tha se krahas vënies para përgjegjësisë për stafin e papërgjegjshëm që lënduan një zonjë të moshuar, institucionet përgjegjëse e kanë për obligim që të sigurojnë ambient të sigurt për të moshuarit që kanë nevojë për shërbime ndaj tyre në institucionet e tilla.
Krasniqi tha se drejtësia duhet të veprojë fuqishëm sot, që nesër rastet e tilla mos të përsëriten.