Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se tentimi i Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti për t’u fshehur prapa konsensusit për t’i shtyrë zgjedhjet, është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
Vendimin e Presidentes Osmani për shtyrje të zgjedhjeve në Veri, Krasniqi e cilësoi si jo-Kushtetues.
Ai tha se konsensusi për shtyrjen e zgjedhjeve në Veri, që kërkuan partitë opozitare në takim me Presidenten Osmani, nuk e obligon atë ligjërisht. Mirëpo vendimi për shtyrje, tha Krasniqi, tregon se Presidentja dhe Kryeministri po duan të fshihen nga paaftësia e tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese.
“Përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor. Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.”
Tutje, Kreu i PDK’së tha se, me shtyrje të zgjedhjeve, Qeveria sot e pranoi paaftësinë e saj që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, një proces që e kërkoi vetë.
“Por, kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet. Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues”, tha Krasniqi.
Instalimi i barrikadave nga qytetarët serbë në Veri, Krasniqi tha se dëshmon se po rrezikohet sovraniteti i vendit, si pasojë e tërheqjes së Qeverisë nga zbatimi i Kushtetutës e ligjit.
“Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.”
Me vendim të Presidentes Osmani, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Veri janë shtyrë për datën 23 prill 2023.
Deklarata e plotë e Memli Krasniqit:
Sot, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentes Osmani për takim konsultativ, duke konsideruar se mbajtja e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit, përveç obligim kushtetues, është edhe interes nacional.
Që nga shpallja e zgjedhjeve, e tëra që kemi kërkuar si PDK nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse ka qenë garantimi i sigurisë dhe kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike. Por, fatkeqësisht, sot kuptuam se qeveria ka dështuar në zbatimin e mandatit të saj për t’i krijuar këto kushte.
Përderisa për shpalljen e zgjedhjeve Presidentja përmbushi një obligim kushtetues, për shtyerjen e tyre ajo nuk ka një mandat të tillë. Konsensusi i kërkuar nga partitë politike sot nuk është obligim ligjor.
Tentimi i Presidentes dhe Kryeministrit për t’u fshehur prapa këtij konsensusi është një tjetër dëshmi e paaftësisë së tyre për t’i zbatuar obligimet kushtetuese dhe për të garantuar kushte e siguri për mbajtjen e zgjedhjeve në territorin e Republikës së Kosovës.
Të vetëm, si PDK, pavarësisht qëndrimit tonë konsistent, ne nuk mund të imponojmë mbajtjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës, sepse instrumentet e nevojshme dhe përgjegjësinë shtetërore për këtë e ka Qeveria dhe institucionet e tjera përgjegjëse.
Por, kjo Qeveri sot e pranoi se nuk është e aftë që të garantojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të cilin e shkaktoi dhe e kërkoi edhe vet. Ky dorëzim i Qeverisë para bandave kriminale në pjesën veriore të Republikës së Kosovës e dobëson shtetin, e vështirëson edhe më tej gjendjen atje dhe e sfidon tutje rendin kushtetues.
Instalimi i barrikadave sot në veri, në kohën kur po merrej vendimi për mosmbajtjen e zgjedhjeve, është dëshmi se kjo tërheqje e Qeverisë nga zbatimi i ligjit dhe kushtetutës e rrezikon edhe më shumë ushtrimin e sovranitetit të plotë në katër komunat e veriut. Qeveria duhet të jap përgjegjësi për këtë prapakthim dhe për dëmin që tashmë ia ka shkaktuar vendit më veprimet e veta të pamenduara.
Nëse kthehemi vetëm pak ditë prapa, kujtojmë se ishte pikërisht Kryeministri Kurti që nisi një zinxhir të veprimeve të pamatura dhe në kundërshtim me interesat e vendit dhe këshillat e aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve, të cilat si përfundim krijuan krizë institucionale e shtetërore atje. Ajo krizë, e cila vazhdoi të keqmenaxhohet, solli edhe zgjedhjet – për mbajtjen e të cilave Kryeministri dhe Qeveria tani u zbrapsën.
Në këtë situatë sfiduese, PDK kërkon nga të gjitha institucionet relevante shtetërore që të rrisin vëmendjen dhe angazhimet e tyre në lidhje me pjesën veriore të Kosovës, për të rikthyer normalitetin dhe për të garantuar sovranitetin në çdo cep të shtetit tonë.