Memli Krasniqi: Nuk ka më ushtarë serbë në Kosovë, kjo çështje është mbyllur më 1999

22:57 | 14 Dhjetor 2022

Krasniqi: S’ka më ushtarë serbë në Kosovë, kjo çështje është mbyllur më 1999.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se do të kërkojë të enjten nga KFOR-i që t’i dërgojë 1000 ushtarë serbë në veri të Kosovës.

Krasniqi tha se kjo deklaratë nuk duhet të merret seriozisht. Ai tha se vendosja e ushtarëve serbë në Kosovë është çështje e mbyllur para 23 vitesh.

“Për fat të keq retorika luftë nxitëse e Vuçiqit ka qenë e vazhdueshme por agresive në ditët e fundit. Kërkesa për kthimin e trupave serbe nuk vlen të merret seriozisht. Nuk ka asnjë vlerë. Në Kosovë s’do të ketë më asnjë ushtar serb dhe kjo është çështje e mbyllur në 1999. Këtë e di secili serb, por kjo është një tendencë për të krijuar ndjenjën e frikës tek ata që jetojnë atje dhe për të instrumentalizuar në skemën e Serbisë. Lojëra të tilla i kemi parë në të kaluarën”, ka thënë Krasniqi për Abc News.

Sipas liderit të PDK-së, shumica e deklaratave të Vuçiqit bëhen për konsum të brendshëm.

“Për Kosovën ka një dokument që është më i rëndësishëm dhe është deklarata e pavarësisë së vendit tonë. Vuçiq mund të ëndërrojë të kaluarën e përgjakur kur ka qenë shërbëtor i Millosheviqit, por s’do të mundet ta jetësojë atë”, shtoi ai.

Vuçiq deklaroi të hënën se do t’i dërgonte një kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar rreth 1000 forca të sigurisë.

Komento: