Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është deklaruar pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, ku ka bërë të ditur se është miratuar propozimi i tij për Kryesinë e re të partisë.
Përmes një konference për medie, Krasniqi ka thënë se rikthimi i PDK-së fillon që sot.
“Falënderoj të gjithë dhe shpreh bindjen dhe vullnetin tim se kemi një ekip të jashtëzakonshëm. Jam i nderuar për të gjithë njerëzit që kanë pranuar t’i bashkohen PDK-së në këtë fazë. Rikthimi i PDK-së për të marrë besimin e qytetarëve fillon sot dhe unë kam një ekip të cilit i besoj. Në ditët në vijim do t’i shihni aktivitetet që na presin, nesër do të mbledh kryesinë për mbledhjen e parë konstituive, dhe për të vazhduar me vendime të rëndësishme që na presin si kryesi dhe për zgjedhjet lokale të 17 tetorit”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka konfirmuar emrat e katër nënkryetarëve të rinj të partisë, të cilët janë: Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Uran Ismaili dhe Ramë Buja.
Pozitën e sekretarit të përgjithshëm të PDK-së do e mbaj Bajrush Xhemajli.
Ndërkaq, anëtarë të Kryesisë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Çollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaci-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi.