Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, çdo herë shqiptarët i quan “shiptari”.
Fjala ‘shiptar’ nuk është përdorur asnjëherë që të thuhet ‘shqiptar i mirë’, por vetëm kur dikush dëshiron të distancohet nga diçka, thotë për Radion Evropa e Lirë, gazetari nga Kosova, Idro Seferi, i cili ka 12 vjet që jeton në Beograd.
Komentet e tij, pasojnë deklaratat e ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili edhe një herë shqiptarët i ka quajtur me termin ‘shiptari’.
Vulin ka deklaruar ditë më parë se është urgjente që të përcaktohet vija kufitare me shqiptarët, apo siç ka thënë ai me ‘shiptart’.
“Mendoj se deklarata është dhënë në kontekst që të thuhet se sa do të ishte mirë që përcaktimi i kufirit me ata që janë ‘shiptari’“, ka thënë Seferi. Ai ka thënë se terme apo fjalë ofenduese ka edhe për gjermanët, serbët dhe të tjerët, por të cilat nuk duhet përdorur asnjëherë, aq më tepër në media apo në fjalorin politik.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar, por nuk ka marrë përgjigje nga kabineti i ministrit Vulin, për arsyen pse ai e përdor këtë fjalë apo term, edhe pse tashmë ekziston një aktgjykim në Serbi, sipas të cilit fjala ‘shiptar’ është politikisht jokorrekte dhe term ofendues dhe se shqiptarët e përjetojnë atë si fyerje.
Këshilli Nacional i Komunitetit Shqiptar në Serbi aktualisht po e shqyrton mundësinë e padisë ndaj ministrit Vulin, ka thënë kryetari i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa.
“Me këtë përpiqen t’i nënçmojnë shqiptarët dhe t’i vendosin në qytetarë të kategorisë së dytë. Kjo është gjuhë e urrejtjes e viteve ’90. Nuk do të duhej që në këtë formë të etiketohen shqiptarët. Kjo gjuhë e Vulinit na jep mesazhin se ne nuk jemi pjesë e kësaj shoqërie“, thotë Mustafa.
Ai thekson, po ashtu, se incidentet si ai në furrën e një pronari shqiptar në një paralagje të Beogradit dhe një tjetër në rrethinën e Pançevës, janë pasojë e fjalorëve të tillë në media, por edhe disa zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.
Ministri Vulin nuk është i vetmi nga zyrtarët serbë që flet në këtë mënyrë për shqiptarët. Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në një komunikatë zyrtare të lëshuar gjatë javës së dytë të muajit prill, i kishte quajtur shqiptarët me termin ‘shiptari’.
Kjo shprehje mund të haset gati se rregullisht në titujt e disa tabloideve, të cilat janë të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe partinë e tij. Ndër titujt që mund të hasen në këto media ishte edhe ai: „Šiptari napadaju sever Kosova 31.decembra” – “Shqiptarët sulmojnë veriun e Kosovës më 31 dhjetor“, e të ngjashëm.
Anita Mitiq, ish-aktiviste e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, kishte paditur tabloidin Informer për përdorim të gjuhës në tekstin „Fashistët sulmojnë“, në të cilin, për anëtarët e kësaj Iniciative, mes tjerash, ishte përdorur edhe termi ‘shiptari’.
Mitiq ka sqaruar se Gjykata e Apelit kishte konfirmuar aktgjykimin e shkallës së parë, sipas të cilit, mes tjerash cilësohej që fjala ‘shiptar’ cilësohet si gjuhë e urrejtjes.
“Termi ‘shiptar’ konsiderohet politikisht jokorrekt dhe me përmbajtje fyese në gjuhën serbe për pjesëtarët e nacionalitetit shqiptarë, të cilët jetojnë në Kosovë. Po ashtu, të quash ndonjë serb me termin ‘shiptar’, sipas gjykatës është e njëjtë si ta cilësosh dikë që punon kundër interesave kombëtare“, theksohet në aktgjykim, të cilin Iniciativa e të rinjve e ka vendosur në faqen e vet të internetit.
Me këtë rast, gjykata e kishte gjobitur gazetën Informer edhe me para, si dëmshpërblim për shkak të gjuhës së përdorur, ndonëse këtë gjobë ky tabloid, sipas Mitiqit, nuk e ka paguar.
Ndërkaq, lidhur me fjalorin që ministri Vulin dhe zyrtarët e Qeverisë së Serbisë po e përdorin në raport me shqiptarët, Mitiq thotë se gjuha e urrejtjes vetëm sa do t’i përkeqësojë raportet me Kosovën dhe do të ndikojë në rritjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve.
Analisti politik nga Prishtina, Imer Mushkolaj, thotë se është për keqardhje që termi ofendues ‘shiptari’ nuk përdoret vetëm nga tabloidët, por edhe nga zyrtarët e shtetit serb. Sipas tij, ky është tregues se edhe pas 20 vjetëve të përfundimit të luftës, politika në Serbi me ndihmën e disa mediave të atjeshme, nuk e kanë ndryshuar qasjen karshi shqiptarëve.
“Jo vetëm ministri i atjeshëm i Mbrojtjes, Vulin, por edhe shefi i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka përdorur zyrtarisht këtë term, duke iu referuar shqiptarëve. Kjo tregon shumë se si edhe 20 vjet pas luftës në Kosovë, politika e Serbisë me ndihmën e mediave të kontrolluara nga pushteti, nuk e ka ndryshuar qasjen ndaj shqiptarëve dhe vazhdojnë ta kultivojnë fyerjen dhe mosdurimin ndaj shqiptarëve”, konsideron Mushkolaj.
Sipas tij, një gjendje tjetër është në Kosovë, ku as nga politika dhe as në media nuk mund të hasen më terme ofenduese për serbët.
Ndërkaq, gazetari Idro Seferi thotë se me këso deklarata, vetëm sa po ngrihen mure ndarëse ndërmjet dy popujve.
“Në këtë mënyrë vetëm se po ngrihen mure ndarëse ndërmjet njerëzve dhe kjo nuk i kontribuon bashkëjetesës. Ngase cilado që të jetë zgjidhja për Kosovën, prapë se prapë disa shqiptarë dhe disa serbë do të duhet të jetojnë së bashku“, thotë Seferi.
Andaj, nënvizon ai, zyrtarët nuk duhet të kontribuojnë në thellimin e ndarjeve, por të përpiqen të gjejnë zgjidhje paqësore.
Sipas vlerësimeve të bashkëbiseduesve, narracioni në mediat në Serbi, shpesh varet edhe nga gjendja në terren.
Kur gjendja është normale dhe pa tensione, shqiptarët quhen shqiptarë, kurse kur gjendja është më e tensionuar, përdoren edhe terme ofenduese si ‘shiptari’.
Në Serbi, termi ‘shiptari’, ka një konotacion negativ, ngase për më gjatë se një shekull. Ndërlidhet me njerëz që janë primitiv dhe jo të civilizuar.
Sidoqoftë, një arsye e mjaftueshme pse shqiptarët nuk duhet të quhen me këtë term, besohet se është edhe fakti se ata nuk duan që dikush t’i quajë ashtu dhe e konsiderojnë këtë term si fyerje.