Merkel sërish ka shprehur mbështetjen e saj për Shqipërinë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel shpreh edhe njëherë mbështetjen e saj për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e bisedimeve me BE-në.
Ajo tha se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është drejt Evropës. Gjatë fjalimit të mbajtur në Parlamentin gjerman kancelarja përmendi domosdoshmërinë e hapjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“E mbështes idenë e rishqyrtimit të diskutimit për procedurat e reja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Mbi të gjitha duhet tu themi vendeve në Ballkanin perëdimor se e kanë të ardhmen të besueshme drejt Evropës, prandaj duhet të fillojmë bisedimet e premtuara. Nuk po them që t’i përfundojmë ato menjëherë por është fjala për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pëndryshe do ti humbasim këto vende dhe kjo do të ishte në disavantazhin tonë”, u shpreh kancelarja gjermane në parlament.
Veç kësaj Merkel foli dhe për rëndësinë e ruajtes së Aleancës Veri-Atlantike të NATO-s pak ditë pasi presidenti Emmanuel Macron tha se NATO po përjeton një “vdekje klinike”.
“Ruajtja e NATO-s sot është në favorin tonë më shume seç ishte gjatë Luftës së Ftohtë, ose të paktën është po aq e rëndësishme sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë, sikundër tha edhe ministri i jashtëm. Për momentin, Evropa nuk mund ta mbrojë veten e vetmuar. Jemi të varur nga Aleanca Veri-Atlantike, prandaj është e drejtë të punohet për këtë aleancë dhe të marrim më shumë përgjegjësi”.
Kancelarja gjermane falenderoi gjithashtu amerikanët për kontributin e dhënë për aleancën edhe pse presidenti Trump e ka kritikuar atë.