Merkel: Vaksina kundër koronavirusit do të jetë në dispozicion për të gjithë botën

20:14 | 23 April 2020

Gjermania është në përpjekje për të gjetur vaksinën kundër koornavirusit.

Kancelarja gjermane Angela Merkel u zotua sot për fonde të konsiderueshme në fushën e kërkimeve mbi koronavirusin e ri, duke nënvizuar se një vaksinë e mundshme kundër COVID-19 do të duhet të vihet në dispozicion për të gjitha vendet.

Duke iu drejtuar ligjvënësve në parlamentin gjerman përpara një video-konference mes liderëve të BE-së, Merkel nënvizoi se kthimi në jetën normale në të gjithë botën do të ishte i mundur vetëm pasi të zhvillohej një vaksinë kundër koronavirusit.

“Shkenca nuk është kurrë nacionale, shkenca i shërben njerëzimit”, theksoi Merkel, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të fortë ndërkombëtar në përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë kundër COVID-19.

“Nëse gjejmë një ilaç ose vaksinë, e testojmë dhe e aprovojmë atë, atëherë kjo duhet të jetë e disponueshme dhe e përballueshme për të gjithë botën”, theksoi ajo.

Gjermania miratoi dje testet e para klinike të një vaksine COVID-19 te njerëzit, e zhvilluar bashkërisht nga kompania BioNTech e profesorit turk Ugur Sahin dhe gjigandit farmaceutik Pfizer.

Shkencëtarët dhe studiuesit në të gjithë botën po përpiqen të gjejnë një vaksinë për virusin i cili ka infektuar mbi 2,6 milionë persona në të gjithë botën dhe ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 183 000 personave.

Komento: