E pranoi se shkaktoi aksidentin në Shtime ku vdiqën dy fëmijë, dënohet me burgim.
Visar Morina është dënuar tre vite burgim pasi e ka pranuar se nga pakujdesia kishte shkaktuar aksident me veturë duke i goditur dy fëmijë të cilët pastaj edhe kishin vdekur. Ngjarja kishte ndodhur në fshatin Caralevë në maj të këtij viti.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja e çështjes, Mimoza Shabani, dënimin me burgim prej tre viteve do ta vuaj pasi aktgjykimi të merr formën e prerë, të njëjtit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 9 maj 2021 deri më 9 qershor 2021.
Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj të akuzuarit u shqiptua dhe dënim plotësues konform nenit 64 të KPRK-së, të njëjtit i është ndaluar drejtimi i automjetit në kohëzgjatje prej dy viteve, pasi aktgjykimi të marrë formën e prerë.
Në seancën e mbajtur të premten, Visar Morina e kishte pranuar fajësinë.
Ndërsa sipas aktgjykimit, është refuzuar propozimi për shqiptimin e dënimit plotësues, “Marrja e lejes së vozitjes” sipas nenit 65 të KPP-së, pasiqë nuk ka bazë ligjore që të shqiptohen dy dënime plotësuese në të njëjtën kohë siç ka propozuar prokuroria në aktakuzë, ka thënë gjyqtarja e çështjes, Mimoza Shabani.
I akuzuari po ashtu është obliguar dhe me shpenzimet e procedurës dhe atë, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësorë 20 euro, si dhe 122 euro në emër të shpenzimeve të procedurës (ekspertiza komunikacionit), si dhe 20 euro për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas aktakuzës, më 09 maj 2021, rreth orës 16:12, në rrugën magjistrale Ferizaj-Prizren, fshati Carralevë, Shtime, i pandehuri kishte qenë duke drejtuar automjetin e tij ku nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik, kështu duke rrezikuar jetën e njerëzve.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri kishte qenë i pakujdesshëm gjatë lëvizjes në rrugë, duke mos iu përmbajtur shenjave në rrugë si dhe nuk e kishte përshtatur shpejtësinë e lëvizjes ndaj kushteve në rrugë ku thuhet se kishte lëvizur me shpejtësi prej 75 km/h derisa kufizimi i shpejtësisë ka qenë 50 km/h.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri me të arritur në hyrje të fshatit Carralevë, në një kthesë të majtë kishte humbur kontrollin e lëvizjes kështu duke kaluar nga shiriti i djathtë i lëvizjes në shiritin e majtë dhe më pas jashtë rrugës, ku me ç’rast i kishte goditur me pjesën e përparme të automjetit këmbësorët (fëmijët) – tani të ndjerët L.RR dhe D.B, të cilët ishin duke lëvizur në skaj të rrugës në anën e majtë (shikuar nga drejtimi i lëvizjes së automjetit).
Sipas aktakuzës, së bashku me të ndjerët automjeti ishte rrokullisur dhe kishte përfunduar mbi lum, ndërsa si pasojë e lëndimeve i ndjeri L.RR ka vdekur për shkak të gjakderdhjes në kafazin e kraharorit, ndërsa i ndjeri D.B ka vdekur për shkak të gjakderdhjes në kafazin e kraharorit si dhe thyerjeve në boshtin kurrizor në nivel të C&TH1, të konstatuara në Raportet e Autopsisë së datës 10 maj 2021.
Me këtë ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi