Merret vendimi, a do të luhen këtë vikend ndeshjet në Serie A?

15:30 | 27 December 2018

Ndeshjet në Serie A do të vazhdojnë gjatë vikendit ashtu siç ishin planifikuar.

Përkundër që presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina, kishte paralajmëruar se mund të suspendohen ndeshjet e Serisë A, një gjë e tillë tanimë është bërë e ditur se nuk do të ndodhë dhe ndeshjet e kësaj fundjavë do të vazhdojnë ashtu siç ishte planifikuar.

Fitorja e Interit me rezultat 1-0 ndaj Napolit mbrëmë u prish nga skenat e tmerrshme pasi që katër tifozë u therën me thikë, një tifoz humbi jetën pasi u shkel me furgon dhe Kalidou Koulibaly ishte viktime e koreve raciste, transmeton Gazeta Express.

Trajneri i Napolit, Carlo Ancelotti, kishte thënë se ka kërkuar tre herë nga gjyqtari që të suspendohet ndeshja mes Interit dhe Napolit, mirëpo kjo kërkesë nuk i ishte pranuar. Për shkak të gjitha këtyre, Gravina kishte thënë se ndeshjet e kësaj fundjave mund të suspendohen.

“Do ta shqyrtojmë mundësinë e suspendimit të Serisë A. Tani duhet ta marrin një moment për t’u koordinuar brenda federatës. E kemi një problem me rendin publik dhe si e tillë, duhet ta menaxhojmë këtë gjë, si dhe faktin se a do të ketë lojë apo jo”, ka thënë Gravina.

“Jam i shqetësuar për këtë klimë të pabesueshme. Unë nuk jam psikolog, por është e qartë se disa nga lojtarët në San Siro ishin të shqetësuar. Tani, jemi në një periudhë reflektimi sepse ajo që ndodhi është shumë serioze”.

“Do të dëgjojmë nga ministri dhe nga Komiteti Olimpik i Italisë dhe pastaj do ta marrin një vendim. Ne jemi duke e verifikuar nëse kishte tri kërkesa për ndaljen e ndeshjes, mirëpo duket se vetëm një e tillë ishte bërë”.

“Sot do të fillojnë punën prokurorët dhe ata do ta thonë fjalën përfundimtar, por ajo që ndodhi ishte shumë e keqe. Lojtarët ishin të shqetësuar në fushë. Gjyqtari do ta thotë mendimin e tij, por nëse edhe ai gaboi, atëherë do ta shqyrtojmë edhe situatën e tij”.

Komento: