Më në fund merret vendimi.
Qeveria gjermane dhe shtetet federale janë pajtuar të mërkurën që futbolli në Bundesliga dhe Bundesliga 2 të rifillojë nga mesi i majit pa shikues, kanë njoftuar burime për agjencinë Reuters.
Ndeshjet janë pezulluar që nga mesi i marsit për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Burimet për Reutersin kanë thënë se Liga e Futbollit Gjerman (DFL) do të vendosë për datën e rifillimit. Klubet gjermane i janë kthyer stërvitjeve, ndërsa lojtarët janë duke u testuar vazhdimisht për koronavirus.
DFL të enjten do ta ketë një video-konferencë me anëtarët ku do të diskutohet për datën. Pos, që do të bisedohet për xhirot e mbetura të kampionatit, do të diskutohet edhe për zhvillimin e ndeshjeve gjysmëfinale dhe finales së Kupës së Gjermanisë. Ka gjasa që rifillimi të shtyhet deri më 22 maj.
Pas 25 xhirove kryeson Bayern Muencheni me 55 pikë, katër më shumë se Borussia Dortmundi, që gjendet në vendin e dytë.