Merret vendimi, kjo është e ardhmja e Luciano Spallettit – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Merret vendimi, kjo është e ardhmja e Luciano Spallettit

09:08 | 05 Shkurt 2019

Pavarësisht rezultateve të dobëta, drejtuesit e Interit vazhdojnë t’i besojnë Luciano Spallettit.

Drejtori ekzekutiv i Interit, Giuseppe Marotta, ka bërë të ditur se e ardhmja e Luciano Spallettit në pozitën e trajnerit të klubit zikaltër është shumë e sigurt, përkundër që ai nuk ka arritur ta fitojë asnjërën nga katër ndeshjet e fundit.

Interi pësoi disfatë me rezultat 1:0 në shtëpi, të dielën kundër Bolognas. Skuadra e Spallettit nuk ka arritur ta fitojë asnjërën nga tre ndeshjet e fundit të Serisë A dhe tani mbetet 11 pikë larg Napolit, që radhitet në pozitën e dytë, transmeton Gazeta Express.

Zikaltrit u eliminuar edhe nga Kupa e Italisë javën e kaluar, pasi humbën në penallti kundër Lazios. Këto paraqitje dhe rezultate të dobëta gjatë ndeshjeve të fundit kanë bërë që të vihet dyshim për të ardhmen e trajnerit në klub.

Por, drejtori ekzekutiv i Interit, Marotta, insiston se Spalletti e ka vendin e sigurt, përkundër që e pranon se klubi është duke e kaluar një periudhe të keqe.

“Kishim një diskutim pas ndeshjes kundër Bolognas, mirëpo kjo diçka që ne e bëjmë gjithë, pavarësisht rezultatit. Ne e pranojmë se jemi duke e kaluar një fazë të keqe dhe kjo është shumë zhgënjyese, veçanërisht për tifozët, mirëpo pozita e Spallettit në klub është e sigurt”, ka thënë Marotta.

“Jemi në një fazë tranzicionale në klub. Ende do të zhvillohet edhe 16 ndeshje dhe ne jemi në vendin e tretë. Është e vërtetë që forma jonë është përkeqësuar, por ne mbështetmi dhe skuadra jonë dhe tifozët, kështu që jam i sigurt se do ta kalojmë këtë situatë”.

Mediat italiane raportuan javën e kaluar se drejtuesit e Interit i kanë thënë trajnerit Spalletti që ai duhet ta fitojë një trofe këtë sezon ose përndryshe do të shkarkohet nga pozita e trajnerit të klubit zikaltër.

Spalletti u takua me drejtuesit e Interit për darkë të hënën e javës së kaluar dhe e përditshmja italiane, Gazzeta dello Sport, pretendon se në këtë takim, presidenti i klubit, Steven Zhang, ia bëri të qartë Spallettit se ai duhet ta fitojë një trofe këtë sezon.

Spalleti e zgjati kontratën e tij deri në vitin 2021 në fillim të këtij sezoni, mirëpo kjo kontratë e re nuk ia garanton ish-trajnerit të Romës karrigen e trajnerit edhe për sezonin e ardhshëm.

Komento: