Merret vendimi, Liga e Turqisë fillon me këtë datë

17:36 | 06 May 2020

Futbolli në Turqi do të rifillojë më 12 qershor, planifikohet organizimi i finales së Championsit në gusht.

Liga e futbollit të Turqisë do të rrifillojë më 12 qershor dhe synimet janë që të përfundohet stinori deri në fund të korrikut, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Turqisë, Nihad Ozdemir.

Ozdemir në një konferencë për media po ashtu ka treguar se Turqia planifikon ta organizojë finalen e Ligës së Kampionëve në gusht. Ndeshjet në kampionatin turk do të luhen pa shikues dhe synimi është të përfundohet deri më 26 korrik. Do të luhen shtatë xhiro në fundjavë dhe një në mesjavë. Skuadrat do të luajnë ndeshjet në qytetet e tyre dhe stadiumet e tyre, duke thënë se nuk është shqyrtuar që të luhen ndeshjet në vetëm një qytet.

Finalja e Ligës së Kampionëve ishte paraparë të zhvillohej më 30 maj në stadiumin “Ataturk” në Stamboll, por është shtyrë shkaku i koronavirusit.

“Nëse Zoti do, ne do të kompletojmë ligën tonë në fund të korrikut. Më pas do ta mbyllim stinorin duke organizuar finalen e Ligës së kampionëve në gusht”, ka thënë Ozdemir.

Po ashtu edhe Federata e Futbollit të Kroacisë ka njoftuar se do të vazhdohen ndeshjet. Do të luhen ndeshjet e kupës më 30 maj, e xhiroja e parë e ligës do të jetë më 6 qershor.

Në Serbi do të rifillohet në dy rangjet e para më 30 maj, me format të ndryshuar.

Komento: