Merret vendimi për të akuzuarën për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Merret vendimi për të akuzuarën për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë

17:07 | 02 Korrik 2020

E akuzuara për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë është dënuar me kusht.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka dënuar me dy vite dalim me kusht të akuzuarën për pjesëmarrje në luftërat e Sirisë, Melihate Alshiqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli, e akuzuara nuk do ta mbaj dënimin me ndalim, nëse brenda afatit prej dy vitesh nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Konxheli deklaroi se gjykata e ka rikualifikuar veprën penale, nga “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, nga neni 3, paragrafi 3 të Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të ar.matosura jashtë territorit të vendit nr. 05/L-052, në veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, konkretisht paragrafit 2 të nenit 143 të Kodit Penal të Kosovës.

Sipas aktgjykimit, e akuzuara u lirua nga shpenzimet e procedurës.

Ndryshe, në seancën e 30 qershorit 2020, e akuzuara kishte thënë se ajo kishte shkuar në Siri, së bashku me fëmijën e saj, pasi ishte mashtruar nga bashkëshorti i saj, tani i ndjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Melihate Alshiqi akuzohet se më 12 korrik 2015, së bashku me bashkëshortin e saj, tani të ndjerë, Bekim Mulolli dhe fëmijën e tyre të moshës një vit e gjysmë, me vetëdije dhe vullnet të plotë, ka kaluar përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe ka përfunduar në destinacionin e huaj në zonën e konfliktit në Siri.

PSRK-ja pretendon se e akuzuara Alshiqi ka ndërmarrë këto veprime me qëllim për t’iu bashkëngjitur grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”, të cilat veprojnë në Siri dhe Irak, ku ka qëndruar deri në momentin e kthimit në Kosovë, më 20 prill 2019.

Komento: