Mes lotësh e dhimbje i jepet lamtumira e fundit Florijana Ismailit

18:16 | 09 Korrik 2019

Ajo gjeti vdekjen në një liqen të Italisë.

Florijana Ismaili, dhjetë ditë më parë humbi jetën në liqenin e Comos, e ndërsa sot po i jepet lamtumira e fundit në një ceremoni që po zhvillohet në një sallë sportesh në Worben të Kantonit të Bernës.

Në këtë ceremoni të organizuar nga Federata e Futbollit të Zvicrës, janë të pranishëm familjarët, miq, kolegë dhe sportdashës.

Mes tyre janë edhe bashkëlojtaret e Florijanës, të cilat kanë veshur fanellat e klubit Young Boys, në shenjë kujtimi për lojtaren e ndjerë.

Janë mbajtur disa fjalë nga personalitete të ndryshme, nga familja dhe miqtë. Mes të tjerave një përfaqësues i federatës në fjalimin e tij lamtumirës theksoi se prindërit e Florijanës duhet të jenë krenar me vajzën e tyre.

“Është e vështirë të gjenden fjalët për atë që ka ndodhur. Por, për Florijanën si njeri nuk është e vështirë: ajo ka qenë një vajzë e qeshur, tolerante, e gatshme për të ndihmuar. Ka qenë një shembull, model. Të dashur prindër, ju mund të jeni me të vërtetë krenarë me të”.

Ceremonia sipas ritit islam mbahet nën drejtimin e një imami, ndërsa vetë varrimi do të bëhet pastaj në praninë e një rrethi të ngushtë familjar.

Komento: