Rrëfimi i gruas që i vdiq burri në Thumanë.
Tërmeti i 26 Nëntorit shuajti tre pjesëtarë të familjes Greku. Pëllumb Greku, Çelike Greku dhe Sajmir Greku jetonin në një prej pallateve të shembura në Thumanë.
Bashkëshortët gjetën vdekjen në vendngjarje, ndërsa 31-vjeçari doli i gjallë nga rrënojat dhe ndërroi jetë disa orë më vonë në Spitalin e Traumës.
Në një rrëfim ekskluziv për tvklan.al, Klotilda Greku, gruaja e Sajmir Grekut rrëfen për natën tragjike kur humbi bashkëshortin. Fati deshi që ajo dhe vajza e vogël Klejsa të vizitonin prindërit e saj fundjavën që lamë pas dhe nuk ndodheshin në shtëpi, kur ra tërmeti me magnitudë 6.4.
Sot, e veshur e gjitha me të zeza, Klotilda ka mbetur vetëm me vajzën 1 vjeç e 7 muajshe, të cilën Sajmiri e kishte idhull. Klotilda rrëfen historinë e dashurisë me Sajmirin, dashurinë e madhe që ai kishte për vajzën, por edhe detaje nga nata tragjike.
Ajo tregon se pallati kishte pësuar dëmtime që prej tërmetit të vitit të shkruar, por familja Greku këtë e kishte parë si shenjë se ishte ndërtesë e fortë. E cilëson tragjedi të paralajmëruar, teksa tregon se në dhomën ku flinin, një pjesë e murit kishte qenë e ngritur.
Klotilda kishte biseduar në telefon mbrëmjen e së hënës me bashkëshortin e saj. Madje kishin bërë shaka për tërmetin e rënë po atë mbrëmje.
30-vjeçarja tregon se kishte planifikuar të nisej drejt Tiranës disa ditë me herët, e të kthehej më herët, por kishte qenë pikërisht Sajmiri që e kishte bërë që ta shtynte vizitën tek prindërit e saj, pasi donte të rrinte me të bijën.
Tërmetin e orës 03:00, Pëllumb Greku kishte biseduar në telefon me një prej mbesave të tij, e cila i kishte kërkuar që të dilnin nga banesa, në çdo rast. Por ai i kishte thënë se Sajmiri ishte në gjumë, se i vinte keq ta zgjonte të birin dhe se “nuk është gjë, e se jemi mësuar ne tani me tërmetet”.
Klotilda tregon edhe herën e fundit që familja e saj ishte e plotë. Fotot e fundit me Sajmirin dhe vajzën dhe boshllëkun e madh që ai ka lënë në zemrat e tyre.
Saimiri punonte në një fabrikë xhamash në Tiranë, Vinte-shkonte, e bënte përditë rrugën. Po ashtu edhe Pëllumbi punonte, Lezhë-Tiranë. Vjehrra rrinte në shtëpi. Ka qenë zonjë në kuptimin e mirë të fjalës. Me Sajmirin jemi njohur vetë, jemi dashuruar.
Prej sa vitesh ishit të martuar?
Kemi 3 vite që jemi zyrtarisht bashkë, nuk kemi bërë martesë. Ka një vit e gjysmë qëkur ka lindur vajza që ne kemi jetuar tamam në një shtëpi, sepse unë isha në punë dhe detyrohesha të ikja dhe të vija, edhe fundjavave.
Kjo është vajza, Klejsa?
Klejsa. Është një bashkim emrash të emrit tim dhe të Mirit. Është 1 vjeç e 7 muajshe. Ishte prioriteti i Mirit, për të gjitha gjërat. Do të bëj gjithçka për vajzën, thoshte, ishte idhulli. Vajzat kanë zakonisht babain idhull, por ai e kishte idhull vajzën, sikur ishte më e veçanta në botë, e thoshte me krenari. Madje ne nga ana jonë i them cucë vajzës dhe thoshte, kjo është cuca ime.
Sa ditë para tërmetit jeni larguar?
Të dielën në drekë në orën 12:00 na ka përcjellë vetë tek autostrada, që të vinte furgoni për Tiranë.
Për çfarë qëllimi u larguat?
Për vizitë tek familja ime. E kishim bërë në plan. E pyeta a mund të shkoj sepse jam mërzitur pak për prindërit, doja të shkoja disa ditë më parë dhe të kthehesha pak më para. Por tha rri dhe pak ditë që të qëndroj me gocën, sepse nuk rrinte një ditë të vetme pa gocën. Ishte gjatë gjithë kohës në punë, vinte shumë vonë nga puna, ishte i ngarkuar dhe kur vinte thoshte, vetëm kjo ma heq gjithë lodhjen. Atë ditë na përcolli, madje atë ditë bëmë edhe ditën e fundit, duke pritur furgonin të vinte. Po luante me vajzën e hipte mbi makinë. U ndamë, u larguam. Folëm përsëri të hënën në darkë, që ra tërmeti i parë në orën 22:00 dhe më tregoi, sepse unë kisha shumë frikë.
Çfarë të tregoi?
Ishte nga ora 22:00 që folëm ne, me të gjithë pjesëtarët e familjes, folëm me vjehrrin, me vjehrrën, foli dhe goca me babin me nënën me gjyshin dhe tha ra tërmet. Edhe po bënin shaka me mua, më thonin që ishte shumë i fortë, sepse e dinë që unë kam shumë frikë. Vjet e përjetova vetë me vajzën të tërmetin tjetër që ra.
Në të njëjtin pallat që është shembur?
Po në të njëjtin pallat, kam qenë vetëm unë me vajzën dhe e kisha marrë fobi këtë punën e tërmetit. Vetëm kur lëvizte divani unë trembesha.
Pati plasaritje herën e parë?
Po ka pasur goxha plasaritje edhe herën e parë.
Na e rrëfeni këtë bisedën me Saimir, këtë të tërmetit?
Pyeti për gocën, si jeni të gjithë në përgjithësi dhe pastaj tha ra tërmet. Thashë me të vërtetën e keni? Po më tha. Vjehrri nga ana tjetër thoshte, po po, ra 9 ballë, po bënin shaka. I thashë po do rrini aty ju? Shyqyr që nuk je ti tha, sepse do kishe vdekur nga frika nga tërmeti. I thashë unë nuk rrija brenda edhe sikur të kisha qenë, do ikja. Edhe kaq. Mbaroi, ai tha unë po shkoj të shtrihem, ishte ora 10 e pak, sepse ishte lodhur nga puna. E mbyllëm telefonin, pastaj edhe kaq.
Por për tërmetin tjetër?
Për tjetrin jo, as nuk ka ndjerë fare. Domethënë nga to që më thanë mua komshinjtë, nga sa kam dëgjuar. Ka rënë edhe njëherë një tjetër, e ka marrë vajza e xhaxhait, vjehrrin dhe i ka thënë të dalim jashtë se ra tërmet. Ai i thotë ne kemi dalë deri tek dera vetë, por Miri është në gjumë dhe nuk ka dëgjuar gjë dhe më vjen keq ta zgjoj djalin se është i lodhur nga puna.
I orës 03:00, pra një orë para?
Ajo i është lutur, aman o xhaxh, ose hajdeni tek ne, ose të dalim të gjithë jashtë. Sepse pallati i atyre ka qenë nga këto 2 katëshet që nuk kanë pësuar dëme, as në tërmetin e parë.
Por ama pallati juaj kishte pësuar shumë?
Po pallati jonë kishte, edhe për këtë i dukej sikur është më i sigurt. Ose hajdeni këtej, ose dalim jashtë.
E çfarë i tha Pëllumbi?
I kishte thënë që më vjen keq për Mirin ta zgjoj, po nuk jemi duke dalë se nuk është gjë, jemi mësuar ne tani me tërmetet, sepse vërtetë u bë shumë herë që po bie.
Po për të madhin kush ju njoftoi?
Përsëri kjo vajza e xhaxhait. Më mori në telefon. E ndjemë dhe ne, ishim zgjuar. I shkruaj Mirit në WhatsApp, i shkruaj ra tërmet edhe tek ne, ngaqë më tha për atë të orës 22:00. Nuk më shkoi mesazhi, ai e kishte lënë internetin të hapur, sepse unë i shkruajta pak më vonë kur e mbyllëm telefonin. I shkruaj hë të zuri gjumi dhe nuk më ktheu përgjigje, por mesazhi i shkoi. Kur i çoj këtë, nuk i shkoi mesazhi.
Ti u merakose?
U merakosa pak, por prap mendova e ka lënë pa karikim, sepse zakonisht kështu e linte telefonin, harronte ta karikonte. Më merr kjo në telefon dhe më thotë që është shembur pallati i xhaxhit, është Miri me xhaxhin që janë brenda. Ndërsa për vjehrrin nuk e mora vesh mu duk sikur tha ka dalë jashtë. I thashë s’i kanë dalë, ata janë brenda. Po jo moj jo tha kanë ngecur të gjithë brenda dhe është shembur. Po si është shembur? Është shembur i gjithi tha. Prap nuk më besohej sesi mund të shembej pallati i gjithi. Pastaj u çova direkt. U çova dhe thashë do të ikim direkt. Lashë vajzën në shtëpi me mamin dhe u nisa me babin dhe xhaxhin.
Arritët atje…
Kur arrita, ç’të shihje… S’na la policia një herë. Pjesa e pallatit tim nuk shihej nga rruga sepse nuk është shembur i gjithë pallati, por vetëm pjesa e hyrjes sonë, domethënë hyrjes treshe nga fillimi deri në fund.
Unë isha aty kur e nxorën Sajmirin. Isha te këmbët e tij kur e futën në ambulancë. E ndoqa me makinën time në spital dhe ndenja aty. Gjatë operimit pyesnim herë pas here ata që dilnin, sepse doktorët normal që nuk na thonin gjë. Na thanë që ka vetëm problem me këmbët dhe ishim me shpresë. Kur doli nga operacioni shkoi në reanimacion dhe thanë që s’e takonim dot. Pyeta një infermiere dhe më tha nga gjendja që ishte është më mirë dhe se nëse s’do të ketë një hemorragji në veshka do ta kalojë. Tani që e kujtoj, se atëherë më dukej shumë shpresë, ma tha me një keqardhje, me një mënyrë që s’më dha shumë shpresa. Arrita të futesha në dhomë në një moment kur kishte hyrë doktori dhe e kishte lënë derën hapur. U futa pa leje në fakt se nuk më linin. E pashë, ishte në gjumë me maskën e oksigjenit në fytyrë. I preka ballin, ktheu kokën nga ana tjetër, por nuk më pa, nuk u zgjua. I fola, i thashë “bëhu i fortë, do e kalosh dhe këtë vetëm për gocën tonë dhe për mua që të kalojmë jetën bashkë”. Nuk reagoi, vetëm kokën lëvizi, por nuk e di nëse e lëvizi se e preka unë apo vetvetiu.
Dolëm jashtë, qëndruam te dera e reanimacionit. Nuk lëviza asnjë moment se nuk e leja dot vetëm, më dukej sikur do më largohej. Doli një infermiere tjetër, e pyetëm dhe na tha që kërkon vazhdimisht ujë. Isha e qetë, kur nuk shkuan as 10 minuta dhe doli infermierja tjetër tha të kërkon doktori. Kur e pashë që ishte dhe ajo me nxitim thashë se ka ndodhur diçka. Më tha do të tregojë doktori, nuk më tregoi gjë. Takoj doktorin dhe më thotë që pati një komplikacion, kishte bllokim të frymëmarrjes dhe kaloi në gjendje shoku. Ne u munduam të bëjmë gjithçka tha, por edhe mund ta humbasim. I thashë ta shikoj një herë vetë me sytë e mia. I kishin vënë aparatura të tjera shtesë, fytyra i ishte nxirë, veshët i ishin nxirë, vetëm pjesa e buzëve ishte e verdhë. Asnjë lloj lëvizje, asnjë gjë, vetëm merrte frymë me anë të aparaturave. Ai ishte gati, por doktori nuk ma thoshte dot që s’ka më shpresë, por tha mundet.
Pas çerek ore doli infermierja dhe thirri një kushëri të Sajmirit dhe babain tim dhe u dha lajmin. Unë hapa derën se thërritën ata dhe jo mua dhe pashë që ishin duke qarë të dy. Atëherë e kuptova. E pashë përsëri se s’rrija dot. Edhe pse e dija që s’do ta kem më, thashë të paktën ta shikoj. U futa brenda dhe u thashë aman dua ta shikoj, ta prek dhe ta përqafoj dhe një herë. Ai ishte i ftohtë i gjithi, akull.
Kjo është ngjarje e rëndë. Keni humbur njeriun e shtrenjë, por keni vajzën tuaj, frytin e dashurisë mes jush dhe Sajmirit.
Ajo është gjithçka e imja tani. Do doja që të jetonte sepse ai kishte shumë ëndrra për vajzën. Thoshte: Do ta bëjë babai balerinë, do t’i blejë babi makinë kur të bëhet 18 vjeçe se mami s’po e mëson dot makinën, do e mësojë goca. Babi do të nxjerrë gjithçka nga fundi i dheut, vetëm vajzës mos t’i mungojë asgjë’. Gjendja nuk ishte dhe aq e mirë që t’ia plotësonte gocës, por thoshte që do të punonte fort. Vinte nga puna dhe i kishte duart e çara nga xhamat dhe i thoshte gocës: “Shikoje babin si e ka dorën” dhe ajo e shihte dhe ia përkëdhelte “xhan xhan”. I thoshte që tani u shëruan e babi nuk kishte më asgjë. Të gjithë prindërit i duan prindërit i duan fëmijët e tyre, por ai kishte dhe mënyrën që e shprehte shumë. S’kemi banesë, nuk kemi më as njeri tani. Sajmiri kishte vëllain, që kishte 2 muaj që nuk jetonte në Shqipëri.
Ka shpëtuar?
Ai është me familjen e tij në Francë. Është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ndërsa motra bashkëjeton me dikë në Tiranë. Tani që është shembur pallati, të afërmit e tjerë kanë ikur në Lezhë. Unë po jetoj te prindërit e mi në Dibër. Në Thumanë s’mund të jetoj edhe sikur të më strehonin diku këndej, siç kanë strehuar të tjerët. S’mund të jetoj unë me vajzën
Në rast se do t’ju rindërtojnë shtëpinë, do të arrini të qëndroni aty?
Jo! S’mundem të shkoj në atë vend. Shkova dhe pashë rrënojat e pallatit sepse doja të merrja diçka, ndonjë kujtim, ndonjë rrobë a diçka e Mirit. Por që të jetoj në atë shtëpi, do të më duket sikur do të jetoj sipër trupit të tij.
A mund të na e tregoni nga telefoni juaj foton e fundit me Sajmirin dhe me gocën ditën e diel, kur ju ka përcjellë?
Kjo, është. Ka dhe disa të tjera që kemi bërë atë ditë.
Pra, ky është takimi juaj i fundit me Sajmirin? Dhe përqafimi i fundit i Sajmirit me vajzën?
Po, i fundit ishte.
Po për tërmetin e një viti më parë? Ju thatë se ishit vetëm me vajzën në banesë. A pati dëmtime apartamenti juaj dhe pallati dhe çfarë ndodhi më pas?
Hyrja jonë ka patur goxha dëmtime. Biles te dhoma ku flija unë një pjesë e murit ka qenë e ngritur. Nga brenda dukej sikur do të binte nga moment në moment. Erdhën të komunës a të bashkisë, nuk e di se kush ishin, që panë dhe fotografuan.
Muri thatë ishte i ngritur?
Po! Ka qenë një pjesë muri i ngritur, si i dalë. Pasi ra vetëm një pjesë… Biles goca kur ngrihej ndonjëherë nga krevati aty shkonte dhe i fuste duart te ajo pjesa e çarë. Deri tani ka qenë ashtu, e çarë, e parregulluar. Vetëm pjesa e kuzhinës u rregullua me mundësitë tona.
E rregulluat ju me mundësitë tuaja? Nuk është se erdhi dikush të financonte për ta rregulluar?
Jo, jo, askush! Te tërmeti i Shtatorit të këtij viti erdhën përsëri të shohin, por ishin vetëm ato që ishin, nuk është se ky tërmet bëri ndonjë dëmtim tjetër.
Çfarë ju thanë te tërmeti i një viti më parë dhe te ky i fundit? E nxorën shtëpinë të banueshme apo të pabanueshme? Ju dhanë ndonjë mundësi që të largoheshit?
Jo, nuk na thanë asgjë të tillë. As që është i banueshëm, e as që është me rrezikshmëri dhe ju duhet largoheni me patjetër, keni s‘keni, gjeni mundësinë të ikni. Ka dëmtime, do t’i shikojmë, do t’i vlerësojmë dhe do të vijë dikush që t’i vlerësojë dhe do të financohen nga bashkia, nuk e di diçka e tillë. Na thanë nëse e shihni që nuk jetoni dot, shkoni në një vend tjetër me qira se do ta paguajë bashkia për disa muaj.
Në një vend tjetër brenda Thumanës?
Në Thumanë, jo në vend tjetër.
Ekspertë të tjerë nuk erdhën asnjëherë?
Jo, jo.
Pavarësisht premtimit që ju bë, nuk erdhi askush për të parë se cilat ishin dëmet?
Jo. Këtë vit kanë ardhur dhe një herë, por jo ekspertë, ishin prapë të komunës. Vetëm fotografuan muret.
Vetëm apartamenti juaj ishte i dëmtuar në pallat, apo dhe apartamentet e tjera?
Edhe hyrja që ishte në kat të dytë ishte dëmtuar, edhe kati i parë ka qenë i dëmtuar, e rregulluan njerëzit sipas mundësive që kishin. Ka patur dëme në të gjithë pallatin, nuk ka qenë vetëm hyrja jonë.
Në pallatin tuaj sa banorë kanë humbur jetën?
7 veta. 3 nga familja ime, 2 nga një familje dhe 2 nga një familje tjetër.
A mund të themi që është një tragjedi e paralajmëruar për shkak të dëmtimeve që ka patur ai pallat?
Nuk e di. Tragjedi e paralajmëruar ishte ajo përderisa ishin muret ashtu. Gjithçka u trazua, si të themi. Ishin të shpeshta, nuk ishte vetëm një tërmet.
Ju jeni me profesion mësuese?
Po, kam pas punuar mësuese. Tani jam e papunë. Kam një vit, që kur kam lindur vajzën.
Praktikisht pas këtij tërmeti ju jeni pa punë, pa shtëpi, pa asnjë adresë të saktë se ku të shkoni e të fusni kokën dhe të rrisni vajzën?
Përveç familjes, në këtë zonë jo.
A keni një apel për shtetin shqiptar? Për t’ju gjendur juve apo dhe banorëve të tjerë të Thumanës? Çfarë do të ishte ajo që do t’ju ndihmonte, do t’jua lehtësonte disi dhimbjen tuaj?
Dua vetëm që vajza të më rritet ashtu siç bashkëshorti im dëshironte, që të rritet me të gjithë të mirat e botës. Të rritet në një ambient, të jetë afër meje gjithmonë. Vetëm kaq dëshiroj, që të mos i mungojë asgjë! Unë do të punoj vetë, do të mundohem me të gjitha mënyrat dhe forcat që kam, s’do t’i lë asnjë gjë mangut, por po e shohim përditë sa po vështirësohet jetesa dhe nuk janë të gjitha mundësitë për t’i plotësuar të gjitha. Familja Greku ishte një familje shumë e veçantë. E njihte e gjithë Thumana, jo vetëm unë që po jetoja me ta. Nuk kanë patur asnjë fjalë të keqe me askënd.