E shtuna e tretë që nuk mbahet mësimi në shkolla.
Kolektivet arsimore të shkollave të mesme të ulëta, Emin Duraku dhe Asim Vokshi, në Prishtinë ishin të pranishëm në shkollë, por klasat ishin të zbrazëta sepse nxënësit nuk kishin respektuar vendimin e Ministrisë së Arsimit për zëvendësimin e orëve të humbura në ditën e shtunë.
Drejtori i shkollës të mesme të ulët Emin Duraku, Visar Osmani tha se është java e tretë ku mësimdhënësit janë ardhur në ditën e shtunë dhe nuk ka nxënës. Ai theksoi se është për kompensimin e orëve por në forma të tjera sepse dita e shtunë është e ngarkuar.
“Ne jemi në zbatim të kalendarit të ri që është dërguar prej Ministrisë së Arsimit, për kompensimin e orëve të humbura, sot është e shtuna e tretë. Është vendim i Këshillit të Prindërve që fëmijët të mos i sjellin në shkollë, ne jemi në vendin e punës sipas orarit dhe planifikimeve. Njoftimet i kemi bërë me kohë tek prindërit dhe mësimdhënësit. Është e shtuna e tretë ku nuk ka asnjë nxënës, është vendim unanim i Këshillit të Prindërve që kanë mbajt takim dhe nuk i është përgjigjur ftesës sonë, ne jemi në vendin e punës, se çfarë do të ndodh nuk e di po është një situatë e pa lakmueshme sepse ne po dalim i kemi ftuar për të ardhur, kemi dhe forma të tjera që ne si shkollë mundemi orët ti kompensojmë, por po presim një reagim apo reflektim se çfarë do të bëhet prej ditëve tjera, Ministrisë dhe akterëve të tjerë. Ne jemi për kompensimin e orëve të humbura si shkollë edhe si prind i kësaj shkolle. Kam kërkuar që dita e shtunë ti mos i revokohet fëmijëve sepse është një javë e ngarkuar dhe fëmijët kanë të drejtë pushimi. Por Ministria e ka parë të rrugës me bë kalendarin dhe formën se si të bëhet zëvendësimi”, tha ai.
Ndërkaq ai tha se arsyeja pse fëmijët nuk janë duke ardhur është vendimi i Këshillit të Prindërve. Ndërkohë thekson se nëse i lejohet që shkolla të merr vendim për zëvendësimin e orëve të humbura ai ka plan B.
“Prindërit kanë takuar 29 përfaqësues të klasave kanë marr vendim dhe iu kanë bashkangjitur ftesës dhe apelit të këshillit në nivel vendi. Nuk kemi asnjë nxënës dhe është e shtuna e tretë nuk është një situatë e mirë sepse ne jemi për ti kompensuar orët dhe patjetër që do ti kompensojmë por me gjet formën që fëmijëve së paku mos ti merret pushimi i vikendit. Nëse na lejohet që në të ardhmen të merret një vendim që shkolla të ketë një autonomi dhe të ketë një plan veprimi secila shkollë, ne e kemi shumë të lehtë, kemi planin B ku me një orë shtesë brenda javës mundemi një të shtunë në çdo muaj të punojmë. Jemi përgatitur që deri më fund të muajit mars të gjitha orët do të kompensohet nëse na lejohet si shkollë ne e kemi zgjidhjen por po presim një dritë jeshile se çka do të bëhet në ditët në vijim”, tha ai.
Osmani theksoi se kanë bërë kërkesë si shkollë për ta gjetur një formë tjetër të protestës që të mos ketë mungesë të mësimit, gjë që sindikata nuk e ka përfillur këtë kërkesë. Ai pohoi se në mesin e gjithë kësaj situate viktima janë fëmijët.
“Si shkollë jemi e vetmja shkollë e komunës që kemi bërë kërkesë te sindikata për ta gjetur një formë tjetër të protestës dhe me evitu humbjen e mësimit, por nuk e kanë marr parasysh dhe e kemi ditë që do vije kjo ditë. Është grevë e përfunduar nuk besoj që mësimdhënësit do të hynë prapë në një situatë të tillë, ku fajtori është mos komunikimi i shëndoshë mes palëve dhe viktimë janë fëmijët. Kam një apel që të mos vijmë më në atë situatë që të hymë prapë në grevë, prej institucionit që drejtoj nuk besoj që do të jem pjesë e ndonjë greve në të ardhmen sepse i kanë fut mësimdhënësit në një rrugë dhe nuk kanë pasur një plan të dytë se çka nëse nuk realizohen. Kemi kërkuar që të filloj mësimi por të protestohet në forma të tjera të dalim në shesh, në rrugë të kërkojmë të drejtat tona por jo me i pengu fëmijët për t’ua mohuar të drejtat për shkollim”, përfundoi ai.
Mësuesja e kësaj shkolle të ciklit të ulët, Naxhie Fejzullahu tha se janë disa orë të humbura dhe po mundohen ti mbërrijmë ti realizojnë sa më mirë që të mos mbesin nxënësit prapa sa i përket njësive mësimore. Kurse për sa i përket grevës, ajo nuk beson që do të bashkëngjitet më në grevë.
“Është java e tretë që ne po vijmë në shkollë dhe nxënësit nuk janë pjesëmarrës në mësim, këtë vendim e ka marr Këshilli i Prindërve pasi që e kanë parë më të arsyeshme meqë dita e shtunë është shumë e lodhshme dhe e mbingarkuar për nxënësit dhe për këtë arsye klasat janë të thata. Ne jemi në orarin e punës por nxënësit nuk kanë ardhur asnjë. Janë disa orë të humbura po mundohemi që të mbërrijmë ti realizojmë sa më mirë orët mësimore dhe të mos mbesin nxënësit mbrapa sa i përket njësive mësimore… Pasi që jemi në punë ditëve të shtuna për neve do të ishte më e konvenueshme nëse nxënësit do të ishin në klasë dhe nuk do ti humbnim orët e planifikuara, pasi që gjatë ditës javës është pak më shumë ngarkesë. Vendimi i MASHT-it ishte që të zëvendësohen ditëve të shtuna po ndodh edhe kjo humbja e mësimit të orëve të planifikuara…Nëse do të ishte në kompetencat tona të vendosim se si do të zëvendësonim orët e humbura, shkolla jonë ka bërë një planifikim se cila është mënyra më e mirë për të realizuar orët e planifikuara, kemi marrë parasysh që gjatë ditëve të punës mos tu preket nxënësve pushimi dimëror dhe pranveror dhe të mos jetë nevoja që të punojmë të shtunën për nxënësit. Të shtohet një apo dy orë mësimore dhe të zëvendësohen të gjitha orët e humbura…Mendimi personal sa i përket grevës nuk është shumë pozitiv, nuk mendoj se do ti bashkëngjitesha grevës për shkak se po pres dhe po uroj që të mos jetë nevoja të bëhet përsëri greva sepse mjaftueshëm kanë humbur nxënësit dhe mjaftueshëm kemi humbur edhe ne mësimdhënësit”, tha ajo.
Kurse drejtori i shkollës së mesme të ulët Asim Vokshi, Nazif Jasharaj tha se ndihet keq sepse zëvendësimi nuk po mbahet dhe kjo është një humbje e madhe për nxënësit. Sipas tij duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët midis Këshillit të Prindërve dhe Ministrisë së Arsimit.
“Neve po na vjen keq sepse është e shtuna e tretë që mësimi nuk është duke u mbajtur, mësimdhënësit janë duke ardhur të gjithë, nxënësit nuk kanë ardhur dhe kjo është një humbje e madh për nxënësit për arsye se edhe shkaku i pandemisë kemi humbur me vite të tëra mësim edhe këto tri javë kemi humbur mësim. Këshilli i prindërve është mirë me u ulur dhe biseduar me Ministrinë e Arsimit dhe me gjetur një gjuhë të përbashkët rreth zëvendësimit të orëve të shtunën….është shumë problem për të arritur rezultate të dëshirura ose të pritura mirëpo të gjithë mësimdhënësit kanë bërë një plan për realizimin e rezultateve të të nxënit… shpresoj dhe besoj që të mos ketë grevë, mësimi të kthehet në normalitet, procesi mësimor të zhvillohet sepse është ndër vitet që është humbur mësimi më së shumti, besoj të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe mësimi të realizohet sipas kalendarit të këtij viti shkollor. Çdo herë orët e humbura është problem të realizohen, nuk është sikur një ditë normale e ditëve mësimore që është prej të hënës në të premten, por edhe nëse zëvendësohet një ditë brenda ditëve të mësimit një orë shtesë që do të thotë ora e shtatë. Çdo herë që ka diçka më shumë është më problem për të arritur rezultatet sepse nxënësit janë më të lodhur”, përfundoi ai.
Nga ana tjetër, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk implemetohet Ligji i Pagave do të ketë grevë në sistemin arsimor.